Shqiptarët, me nivelin më të lartë të dëshirës për emigrim edhe gjatë vitit 2021

08:40 | 2 Korrik 2021
Trina Galanxhi

Edhe më 2021 Shqiptarët rezultuan me përqindjen më të lartë të dëshirës për të jetuar e për të punuar jashtë vendit, në krahasim me vendet e tjera të Rajonit, sipas Anketës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në Barometrin e Ballkanit 2021. Sipas rezultateve të anketës, 46% e të anketuarve në Shqipëri po konsiderojnë të largohen nga vendi. Kjo ishte përqindja më e lartë në Rajon. Pas shqipëtarëve, malazezët shfaqën dëshirën më të lartë për të emigruar me 45% të të anketuarve, Boshnjakët me 39%, Kosova me 32%, Serbia me 25% dhe Maqedonia e Veriut me 27%, e cila kishte përqindjen më të ulët të e dëshirës për emigrim në raport me vendet e tjera.

Nga totali i të anketuarve nga Shqipëria, që dëshirojnë të emigrojnë, 68% synojnë vende të Bashkimit Europian dhe 25% Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Emigracioni është shndërruar në problemin më të mprehtë të shoqërisë shqiptare, teksa numri i të larguarve, kryesisht të rinj po rritet, duke e vënë në pikëpyetje zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në të ardhmen.

Liria e lëvizjes për të zgjedhur vendbanimin dhe profesionin, një tipar dallues i globalizmit prej të cilit janë prekur edhe vendet e zhvilluara, po e përball Shqipërinë me pasoja fatale, boshatisjen e vendit. Anketa e madhe e emigracionit vitin e kaluar zbuloi se nga viti 2011 deri në 2019 kanë lënë vendin edhe 360 mijë persona. Popullsia reale në vend nga 2.8 milionë, është diku te 2.4 milionë.

Fenomeni pritet të përkeqësohet prej efekteve negative të pandemisë COVID-19. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka lajmëruar se, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe sidomos Shqipëria, pritet të përballen me flukse të larta emigrimi për shkak të pandemisë. Në një raport të vitit 2020, OECD konstatoi se Shqipëria renditej e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë për periudhën 2000 deri në 2016.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2020, edhe pse në kushtet e kufizimeve ekstreme në lëvizje nga pandemia Covid-19, emigracioni neto (diferenca ndërmjet të larguarve dhe të kthyerve në vend) ishte 16 mijë e 684 persona. Gjatë vitit të kaluar u larguan nga vendi 23 mijë e 854 persona dhe u rikthyen vetëm 7171 persona./bw/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme