Korrupsioni si shkak për largimin nga rajoni! Nuk u kursyen kritikat ndaj politikanëve të Ballkanit në Forumin e Prespës për Dialog në Ohër.
“Ballkani Perëndimor: Pjesa që mungon për të qenë Evropa e plotë” – Ky është fokusi i Forumit të Prespës për Dialog që ka filluar punimet në Ohër dhe Oteshevë, me pjesëmarrje të liderëve të rajonit bashkë me përfaqësuesit më të lartë nga Evropa dhe SHBA. Zëvendësndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike në Departamentin e Shtetit të SHBA-ve, Matthew Palmer, ka deklaruar se vendeve të rajonit i mbetet shumë punë për të bërë për realizimin e plotë të potencialit të jashtëzakonshëm të rajonit.
Korrupsioni shkak i largimit nga rajoni
Palmer ka kërkuar nga liderët e rajonit të ndërmarrin më shumë detyrime publike për rritje ekonomike dhe bashkëpunim rajonal dhe ka drejtuar kritika në lidhje me gjendjen e korrupsionit dhe sundimit të së drejtës në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është shkak për ikjen e një numri të madh të qytetarëve nga vendet e tyre, theksoi Palmer. Kur politikanët vjedhin qytetarët e tyre, atëherë rritet pabarazia sociale.
“Përkundër ekonomisë, qytetarët në rajon janë shumë të shqetësuar për sundimin e së drejtës dhe korrupsionit. Kur liderët politik vjedhin nga qytetarët e shtetit të tyre apo e dëmtojnë sundimin e së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit, rritja ekonomike ngadalësohet, përhapet pabarazia dhe besimi në qeverinë bie”, ka deklaruar Palmer.
Palmer: Mos anëtarësimi i rajonit në BE zhgënjim për SHBA
Duke folur për anëtarësimin e rajonit në BE, Palmer shprehu zhgënjimin e tij për mos hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, duke thënë se zgjatja e kësaj çështjeje dëmton edhe rolin e SHBA-së në rajon. “Jemi të zhgënjyer që çështja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk u zgjidh aspak, kjo ndikon edhe në linjën tonë të skajshme. Ka shumë punë për t’u bërë, sepse konkurrentët tanë gjeopolitikë tentojnë në mënyrë agresive ta cenojnë kredibilitetin mes BE-së dhe ShBA-së dhe vetë rajoni dyshon në kredibilitetin e përcaktimit tonë”, ka theksuar Palmer.
Edhe Sekretari gjerman për Evropën në Ministrinë e Jashtme në Berlin, Michael Roth para panelistëve u shpreh me zhgënjim që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë filluar negociatat për anëtarësim në BE. Roth tha, se roblemet bilaterale nuk duhet të jenë pengesë për anëtarësimin në BE.
Kurse eurodeputetja Tanja Fajon ka theksuar, se i vjen mirë që Sllovenia, vendi i saj, nga e enjtja udhëheq presidencën e BE, por nënvizoi se pritshmëritë për të ecur më tej në procesin e zgjerimit janë të pakta, pavarësisht se Ballkani Perëndimor është në agjendën sllovene. Ajo ka drejtuar kritika të drejtpërdrejta ndaj BE duke thënë se nuk është në gjendje të mirë, gjë e cila ka penguar procesin e zgjerimit.
Rëndësia e bashkëpunimit ekonomik të rajonit
Në një rajon me 80 milion banorë duhet të flasim për ndërtimin e së ardhmes së bashku është thënë në Forumin për Dialog. Konkurrenca rajonale do të forcojë qëndrueshmërinë e rajonit dhe do të sjellë prosperitet për qytetarët. Krijimi i një tregu të përbashkët të punës do të sjellë të ardhme të begatë për ekonomitë dhe në të njëjtën kohë t’i përgatisë ato për hyrjen në një treg mjaft konkurrues evropian dhe global. Majlinda Bregu sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal iu referua formimit të një tregu të përbashkët rajonal bazuar në modelin e tregut të BE-së bazuar në katër liritë themelore kapitali, mallrat, shërbimet dhe paratë.
Dialogu sjell progres
Diplomati amerikan Mathew Palmer dha një porosi për liderët e rajonit: të ndërmarrin aktivitete të vërteta, të vazhdojnë me reforma të vështira, të punojnë në mënyrë konstruktive që të zgjidhin çështjet e vështira politike brenda dhe me fqinjët, t’i përforcojnë institucionet multietnike, demokratike dhe gjyqësore, të nisen drejt një ardhmërie me prosperitet.
“Ne duhet t’u bëjmë presion liderëve të Ballkanit të krijojnë dhe t’i shfrytëzojnë mundësitë për zgjidhjen e çështjeve përmes dialogut. Kosova duhet të jetë pjesëmarrëse aktiv në definimin e agjendës së rajonit. Dialogu është shembull i kornizës politike për zgjidhjen e dallimeve mes Serbisë dhe Kosovës, por asgjë në dialog nuk duhet të pengojë zgjidhje pragmatike mes bashkëbiseduesve racionalë”, ka thënë Palmer./DW/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...