Google ADS

ORCA: Gjilani ndër Universitetet më të dobëta publike në vend

15:35 | 30 Qershor 2021
Arditë Shkodra

Organizata ‘ORCA’ ka publikuar sot “Raportin për integritetin akademik, publikimin shkencor dhe justifikimin e titujve akademikë në Universitetin e Gjilanit”.

Sipas këtij raportit të ORCA-s, Universiteti i Gjilanit është ndër universitetet publike me performancën më të dobët në publikime shkencore dhe justifikimin e titujve akedemikë, transmeton arbresh.info

Njoftimi i plotë:

Organizata ‘ORCA’ sot ka publikuar “Raportin për integritetin akademik, publikimin shkencor dhe justifikimin e titujve akademikë në Universitetin e Gjilanit”.

Universiteti i Gjilanit është ndër universitetet publike me performancën më të dobët në publikime shkencore dhe justifikim të titujve akademikë. Me vetëm 57 punime shkencore nga 40 profesorë, apo 1.43 punime për kokë profesori, renditet në fund, vetëm para Universitetit të Prizrenit dhe Universitetit të Pejës në mesin e universiteteve publike.

Në këtë universitet, 65% e profesorëve nuk i justifikojnë titujt e tyre sipas kriterit të punimeve shkencore si autor i parë ose korrespondent, një e dhënë kjo alarmante. Ky rezultat e rangon Universitetin e Gjilanit si një nga universitetet publike më të dobëta sa i përket integritetit akademik në Kosovë.

E dhënë tjetër tepër shqetësuese e këtij raporti thotë se 53% e profesorëve nuk kanë asnjë punim shkencor të publikuar në revista ndërkombëtare sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi. Për krahasim, 29% e profesorëve në Universitetin e Prishtinës nuk kanë asnjë punim të publikuar si autor i parë ose korrespondent.

Të dhënat shqetësuese lidhur me performancën e dobët akademike të Universitetit të Gjilanit përforcohen edhe me tendencat e vazhdueshme të menaxhmentit për të ushtruar presion ndaj përfaqësuesve studentorë legjitim të cilët janë bërë zë lokal i kërkesës për llogaridhënie dhe transparencë në Universitet./arbresh.info/

Vegëza e raportit: Integriteti-akademik-ne-Universitetin-e-Gjilanit.pdf (orca-ks.org)

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme