100 ditëshi i qeverisë “Kurti II”, çfarë u bë e çfarë s’u bë

08:05 | 30 Qershor 2021
S D

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kthyer në  prioritet të parë dialogun më Serbinë, ndonëse atë gjatë fushatës elektorale e llogariste si prioritetin e gjashtë apo të shtatë. Ky është vlerësimi që kanë analistët për 100 ditshin e parë të Qeverisë Kurti.

Sipas tyre gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur ndonjë fillim të realizimit të premtimeve  gjatë fushatës elektorale.

Dy prioritetet e Albin Kurtit të cilat do i fillonte qysh në 100 ditshin e parë ishin drejtësia dhe punësimi, por që sipas analistëve politikë mori kahje tjetër.

Analistja, Aferdita Maliqi për arbresh.info tha se në këto 100 ditë të qeverisjes Kurti nuk kemi parë  një fillim të realizimit të prioriteteve bazë të cilat Kurti i kishte paraqitur në fushatë zgjedhore.

“Ajo që kemi parë është një Qeveri pa inert dhe pavarësisht deklarimeve se nuk do ta ketë prioritet dialogun, energjia dhe vizitat e Kurtit jashtë vendit kanë qenë në këtë relacion, para rifillimit të dialogut me Serbinë”, tha Maliqi, për arbresh.info.

Maliqi tutje tha se menaxhimi i pandemisë dhe zhvillimi ekonomikë mbetën dytësore. Ajo  po ashtu shkarkimin e bordeve nga ana e Qeverisë Kurti e quan kapje të shtetit.

“Tendencat për të shkarkuar dhe vendosur njerëzit e tij nëpër borde dhe institucione publike, duke u munduar të kap çdo institucion, që është e rrezikshme për demokracinë e vendit”, deklaroi Maliqi.

Në anën tjetër analisti Shkodran Ramadani për arbresh.info tha se Kurti edhe nëse nuk  e ka pasur dialogun prioritet, dialogu e ka atë.

“Nuk ka qenë e mundur që t’i shmanget sidomos tash që ka pushtetin absolut i vetëm pa koalicion qeverisës, e pikërisht kjo e shtyu që t’i ri-rendis prioritete dhe premtimet, sepse tanimë fokusi ka kaluar gradualisht në aspektin e dialogut dhe më pak në çështjet e brendshme”, tha Ramadani.

Tutje Ramadani 100 ditshin e parë të Kurtit e quan “muaj të mjaltit”.

“Në 100 ditshin e par mund të themi që përshtypjet janë të përziera për shkak që është ende herët, por mund të themi që është në “muajin e mjaltit”, dhe mbështetësit e tij ende nuk janë të gatshëm që ta gjykojnë racionalist përformancën e tij, për shkak se një klimë dhe rrethana e krijuara për 15 vite nuk mund të ndryshojnë brenda një muaji, ende shihet si opozitar dhe partitë opozitare ende shihen në pushtet dhe për këtë duhet kohë dhe distancë më e madhe kohore për ta vlerësuar më mirë dhe më drejt qeverisjen e zotit Kurti, por shihet qartë që mungon realizimi i premtimeve që nuk lidhen domosdoshmërish me zhvillimin ekonomik, ” tha Ramadani.

Zhvillimi ekonomik sipas Ramadanit mbetet një nga sfidat kryesore të Qeverisë Kurti, kjo për faktin se ka premtuar rritje shtatë deri në tetë përqind.

“Zhvillimi ekonomik është një çështje që kërkon shumë vite por megjithatë ka gjëra që nuk mundi t’i bëjë as në 100 ditshin parë siç është punësimi i të afërmeve, familjarëve, farefisit të shumë politikanëve në Qeverinë Kurti prandaj kjo është diçka që nuk mund të arsyetohet as në 100 ditë e as në 100 vjet dhe është gabim në cilën do periudhë ndodh prandaj nuk duhet të amnistohet kjo gjë për faktin se ai është vetëm në fillim”, vlerëson ai.

Sipas Ramadanit vaksinimi kundër covid-19, mbetet i çalë.

“Vaksinimi nuk është ende i kënaqshëm Kosova është e fundit në rajon derisa Maqedonia i ka vaksinuar diku mbi gjysmë milioni, Shqipëria diku 1 milion njerëz, ndërsa Kosova mbetet shumë mbrapa, andaj i duhet më shumë kohë më shumë vendime më shumë politika për ta bërë një analizë më të saktë”, deklaroi Ramadani.

Albin Kurti prej që ka marrë postin e kryeministrit ka zhvilluar disa takime në Bruksel lidhur me dialogun, ku ka pasur takim edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ndërsa që më 25 korrik do të ketë edhe një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ndryshe, Albin Kurti të mërkurën do ta paraqes para ministrave krejt atë çka bëri për 100 ditë të qeverisjes së tij.

Opozita ka vlerësuar si dështim punën e Qeverisë Kurti, ndërsa vet kreu i Qeverisë siç ka deklaruar në  disa raste është bërë punë e mirë. S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme