Në një mesditë me diell përvëlues në 12 korrik 2020, Robert Neçaj dëgjoi ulërima, ndërsa qëndronte në një kullë vrojtimi në plazhin piktoresk të Ranës së Hedhun në Shëngjin. Britmat vinin nga deti dhe vrojtuesi i plazhit –i cili është sot zv.president i Shoqatës Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë” – e kuptoi shpejt se dikush po mbytej.
Neçaj tregon se vrapoi në rërë dhe pa së largu dy gra në det, të cilat po përpiqeshin të mbanin mbi sipërfaqe një fëmijë.
“Gratë e mbanin djalin lart, ato vetë vazhdonin të pinin ujë,” kujton vrojtuesi.
Fëmija ishte një 10-vjeçar nga Kosova, i cili ndodhej në plazh së bashku me nënën e tij. Neçaj kujton se i dha ndihmën e parë mbi një tavolinë, pasi djali u nxorr në breg pa ndjenja.
“Nuk merrte frymë dhe kur e vendosa mbi tavolinë, nxorri ujin që kishte pirë dhe u zverdh,” shton Neçaj, pa e fshehur krenarinë për shpëtimin e familjes nga Kosova vitin e shkuar.
Prej majit të vitit 2014, një vendim i qeverisë detyron një mori institucionesh dhe operatorët privatë që për çdo 200-250 metra plazh, të ketë kulla 3 metra të larta dhe vrojtues plazhi për të garantuar sigurinë e pushuesve.
E megjithatë, moszbatimi i vendimit vazhdon të shkaktojë drama dhe humbje jete në bregdetin shqiptar – e së fundmi –edhe penalitete të kripura për autoritetet përgjegjëse.
Një vendim i Gjykatës Administrative të Apelit i datës 14 tetor 2020 ngarkoi me përgjegjësi Bashkinë e Durrësit për mbytjen e një vajze 4-vjeçare në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe e dëmshpërbleu familjen me 29 milionë lekë.
Gjykata Administrative e Tiranës dhe më pas Gjykata e Apelit Administrativ e konsideruan Bashkinë e Durrësit si institucionin përgjegjës për dhënien e lejeve të stacioneve të plazhit, me kushtin që ato të ishin të pajisura vrojtues dhe shpëtues jete. Sipas gjykatës, në rastin e 4-vjeçares, Bashkia nuk e kishte kryer detyrën.
Në qëndrimin e saj para gjykatës, Bashkia e Durrësit u përpoq të devijonte fajin të prindërit e së ndjerës, por e humbi çështjen.
BIRN mësoi se tetë padi të ngjashme ndodhen tashmë në proces në Gjykatën Administrative të Apelit.
Përgjegjës për mosveprim
Në Shqipëri është një klishe e gjithëpranuar që ligjet janë të mira, por nuk zbatohen. Megjithatë, institucionet rrallëherë mbahen përgjegjëse për zbatimin e gabuar apo moszbatimin e legjislacionit.
Vogëlushja 4-vjeçare Enderjeta Balla u mbyt në shtator 2016 në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ndërsa ishte në plazh së bashku me familjen dhe kushërinjtë. Ndryshe nga detyrimet ligjore, zona nuk ishte e pajisur me vrojtues plazhi.
Përfaqësuesit ligjorë të familjes Balla, Oliana Andoni dhe Adriatik Lapaj ngritën padi në Gjykatën Administrative të Tiranës ndaj Bashkisë Durrës, Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Policisë së Shtetit, Ministrisë së Turizmit dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit; institucione të cilat janë përgjegjëse për zbatimin e VKM për “Sigurinë në det dhe plazhe”.
Nga zinxhiri i institucioneve të paditura, Gjykata Administrative e Tiranës ngarkoi me përgjegjësi vetëm Bashkinë e Durrësit në vendimin e nëntorit 2018, si institucionin që nuk kishte zbatuar detyrimet e saj.
“Si rezultat i mosmarrjes së masave të nevojshme për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e personave që frekuentojnë plazhet, rezulton të mos jetë arritur qëllimi i ligjit dhe akteve nënligjore, që është pikërisht shmangia e ngjarjeve të rënda,” arsyeton në vendim gjyqtarja Arbena Ahmeti.
Siç del në vendim, në ditën e mbytjes së fëmijës, askush nuk duhej të ishte lejuar të futej në det për shkak të dallgëve të rrezikshme. Gjykata thotë se në plazh duhej të kishte pasur flamuj të kuq dhe roje, që duhej të ndalonin hyrjen në det. Po ashtu, gjykata shprehet se prania e rojes së plazhit mund të kishte shmangur vdekjen.
Gjykata Administrative e Tiranës vendosi një dëmshpërblim prej 53 milionë lekësh në favor të familjes Balla, dëmshpërblim që duhej të paguhej nga Bashkia e Durrësit. Por çështja përfundoi në Apel dhe dëmshpërblimi u ul në 29 milionë lekë.
Nga vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ del se gjykata kishte pranuar pjesërisht pretendimet e bashkisë së Durrësit, se prindërit e së ndjerës kishin po ashtu përgjegjësi dhe se kjo duhet të ndahej mes palëve.
Apeli rrëzoi një pretendim tjetër të Bashkisë së Durrësit, e cila u mbrojt me argumentin se tragjedia mund të mos shmangej, edhe nëse do të ishin marrë masat.
“Nuk është paraqitur asnjë provë që të mund të provojë këtë fakt,” thuhet në vendimin e gjyqtarëve Kastriot Selita, Bari Shyti dhe Enkelejda Metaliaj (Softa), që arsyetojnë se Bashkia mund të pretendonte pafajësi vetëm nëse do të kishte marrë të gjitha masat për sigurinë në plazh.
Pavarësisht fitores së arritur, avokatja Andoni i tha BIRN se ata kishin paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë.
Sipas avokatëve, babai i viktimës nuk ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ishte e paqartë se si mund të ngarkoheshin me përgjegjësi dy fëmijët e tjerë, po ashtu të mitur.
Avokatja Andoni i tha BIRN se në këto çështje, gjykatat mundoheshin t’i kursenin institucionet, pavarësisht përgjegjësive dhe pasojave të rënda.
“Nisur nga fakti që kjo kategori çështjesh përbën një praktikë të re në jurisprudencën shqiptare, gjykatat kompleksohen për të dhënë vlerat reale të dëmit që ndodh, duke tentuar të japin vlerat minimale të parashikuara nga ligji,” tha avokatja.
Burokracitë kushtojnë jetë
Sipas të dhënave të mbajtura nga Federata Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë”, 93 persona humbën jetën si pasojë e mbytjes në bregdetin shqiptar nga viti 2017 deri në vitin 2020.
Megjithatë, zyrtarët e Federatës theksuan se numri i viktimave ka ardhur në rënie me rritjen e numrit të vrojtuesve nëpër plazhe; nga 45 të mbytur që u shënuan në vitin 2017 në 12 të mbytur gjatë vitit 2020.
Sipas vrojtuesit Robert Neçaj, i cili është njëherazi edhe zv.president i federatës, numri i të shpëtuarve është disaherë më i madh. Gjatë sezonit të vitit të kaluar, rojet kishin ndërhyrë në 80 raste rreziku dhe në 7 prej tyre kishin reanimuar të mbyturit me masazhe kardio-pulmonare.
Prania e rojeve të plazhit konsiderohet jetike edhe nga ekspertiza e bërë për llogari të gjykatave. Sipas avokates Andoni, ekspertiza ka përcaktuar se jetët njerëzore mund të shpëtohen nëse ndërhyhet brenda një kohe të shpejtë.
“Në çdo rast, referuar VKM 321 të vitit 2014, e cila përcakton distancat e kullave dhe rojeve të plazhit nga njëri – tjetri, largësia është e atillë sa mund të arrihet nxjerrja e personit në më pak se dy minuta, kohë e mjaftueshme për të shpëtuar jetën e qytetarit,” tha Andoni.
Prej vitit 2014, qeveria i ka forcuar rregullat për sigurinë në plazhe dhe me ndryshimet e majit 2020, mungesa e vrojtuesve përbën përgjegjësi penale. Megjithatë, vendi numëron rreth 1 mijë vrojtues të licensuar –një numër i vogël ky krahasuar me mbi 2500 stacione plazhi në të gjithë vijën bregdetare.
Rregullorja e re i detyron qiramarrësit të kënë një kontratë me një roje të licesuar plazhi, por ndërsa pushuesit janë dyndur në det që prej fillimit të qershorit, procesi i licesimeve siç pranoi në një përgjigje për BIRN edhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ende nuk ka përfunduar.
“Aktualisht ky grup pune, i cili është i ngritur pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, po punon për verifikimin e të gjitha aplikimeve të paraqitura nga subjektet, në funksion të përcaktimit nëse këto subjekte plotësojnë apo jo kriteret për të ushtruar veprimtarinë e stacionit të plazhit,” i tha BIRN Agjencia, pa dhënë përgjigje për vonesat.
Ardit Taflaj, një vrojtues plazhi në Velipojë i tha BIRN se vitin e kaluar kishte mundur të shpëtonte katër pushues përtej stacionit të tij të plazhit.
“Ishin kapur prej dallgëve të zeza, janë dallgë që s’të lënë as me dalë, as me qëndru”, tha Taflaj.
Taflaj tha se e pranishme në vendngjarje ishte edhe policia, por që nuk mund të bënte asgjë.
“Kishte ardhur policia me çizme, me pushkë e me kallash, ata kanë detyrën e tyre, por nuk kishin çfarë bënin në këtë rast,” thotë vrojtuesi.
Shpëtimet e pushuesve vitin e kaluar u filmuan masivisht dhe Taflaj, Neçaj apo kolegë të tyre u trajtuan si heronj në tituj lajmesh. Vrojtuesit thonë megjithatë se lavdet nuk përkthehen në kushte më të mira pune.
Shumë biznesmenë bëjnë kontrata sa për sy e faqe dhe mjaft prej tyre paguajnë keq.
“Edhe rrogën me 100 probleme ta japin,” tha Taflaj, ndërsa shtoi se koha që ata janë realisht në punë është e shkurtër dhe përfitimet jo të kënaqshme.
Megjithatë, Neçaj thotë se mjaft biznese janë ndërgjegjësuar dhe se pagesa për vrojtuesit ishin të mira për një punë të përkohshme. Kjo sipas tij ka nxitur mjaft të rinj që t’u nënshtrohen kurseve përgatitore prej 100 orësh teori dhe praktikë, që kushton rreth 33 mijë lekë.
Neçaj thekson se ndërsa plazhi ka filluar që në muajin maj, licensimi i stacioneve të plazhit dhe kontratat me vrojtuesit pritet të mbyllen në muajin korrik.
“Burokracitë dhe vonesat po krijojnë probleme në sigurinë në plazhe dhe se kjo do të dëmtojë në fund të gjithë biznesin e turizmit,” përfundoi ai. /BIRN
Gruaja bie nga kati i shtatë i një banese në Fier, dyshohet ...
“Të ndalohen telefonat”, Rama: Kontrolle në hyrje dhe dalje ...
Vdes në moshën 112-vjeçare njeriu më i vjetër në botë
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...