Duhet të jemi gati ose për dialog, ose për pasoja, “Kurtit po i përshtatet status quo-ja”

08:04 | 26 Qershor 2021
Përparim Bublaku

Duhet të jemi gati ose për dialog, ose për pasoja vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në vend. Sipas tyre, kryeministrit Albin Kurti po i përshtatet status quo-ja, derisa shtojnë se njëherë e përgjithmonë duhet të përmbyllet problemi me Serbinë.

Më 15 qershor të këtij viti në Bruksel, u mbajtën bisedimet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ku njëherit ishte edhe takimi i pare në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Gjatë këtij takimi kryeministri i Kosovës Albin Kurti doli me një propozim 4 pikësh, por hasi në kundërshtim të plotë nga ana e Serbisë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë kishte filluar më 19 tetor të vitit 2012, por që nga ajo kohë e deri më sot nuk ka pasur rezultate konkrete në përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, përveç 35 marrëveshjeve ku një numër i tyre janë ende të pa implementueshme.

Për arbresh.info gazetarja Afërdita Maliqi, ka thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e dialogut për shkak të së ardhmes së Kosovës dhe se duhet që një herë e përgjithmonë ta mbyllë problemin me Serbinë.

“Bisedimet tashme kanë rinisur, siç e dimë me presion dhe ndërmjetësim ndërkombëtar. Kosova është në një fazë ku duhet të jetë pjesë e bisedimeve për shkak të të ardhmes së vendit, që duhet njëherë e përgjithmonë ta mbyllim problemin me Serbinë”, deklaroi Maliqi.

Analisti Arton Muhaxheri tha për arbresh.info se ShBA- të dhe BE-ja nuk janë të interesuara për stërzgjatjen e procesit të dialogut, dhe se aleatët tonë nuk janë në pajtueshmëri me pikat e reja të Kurtit sepse nuk duan t’i hedhin poshtë kaq vite angazhim për rezultatet e deri tanishme.

“Procesi i bisedimeve nuk mund të zgjate pafundësisht madje për këtë gjë nuk kanë interesim as SHBA-të dhe BE-ja. Ata po duan t’i japin drejtim fundit të negociatave Kosovë-Serbi. Por ajo qe po duket në siperfaqe është se as qeveria Kurti nuk ka interesim për te shkuar drejt fundit të bisedimeve, po i përshtatet status qou-ja , prandaj ai po del me tema të reja dhe propozime të reja që natyrisht janë të papranueshme për aleatët tanë sepse ata nuk duan t’i hudhin poshtë kaq vite angazhim dhe rezultatet e deritashme”, deklaroi Muhaxheri.

E në takimin e BE-së ku shefi i diplomacisë së kësaj të fundit, Joseph Borell raportoi për ministrat e jashtëm të Evropës, u dhanë informata të pakta për takimin e 15 qershorit nga ai dhe theksoi se takimi në mes Kurtit dhe Vuqiq ishte një takim me shumë tension.

Në këtë raport të Borrellit fjala progres nuk u përmend askund.

E kjo lë të nënkuptohet se dialogut nuk po i kushtohet rëndësi e madhe për nga ana e arritjes së rezultateve. Por cila është rëndësia e një dialogu të suksesshëm dhe cilat mund të jenë pasojat që Kosova mund të përballet në rast se ky proces vazhdon të çalojë dhe mos të ketë një epilog.

Për gazetaren Maliqi katër propozimet e Kurtit kanë qenë deklarata populiste, e nëse Kurti nuk pranon të vazhdojë bisedimet mund të kemi zgjedhje të reja parlamentare dhe Kosova do të vazhdojë të përballet me izolim.

“Kryeministri Kurti, i cili ka paraqitur katër propozimet në Bruksel, se si duhet të zhvillohet ky dialog, mendoj që më shumë kanë qene deklarime populiste, duke pas parasysh se deklarimet e mëhershme te Kurtit, se mbi çfarë parime duhet të zhvillohet dialogu me Serbinë, e një nga to ka qenë edhe kërkimfalja për gjenocidin në Kosovë dhe të dihet fati i të zhdukurve. Nëse Kurti nuk pranon të vazhdojë bisedimet, mund të kemi edhe zgjedhje të reja sërish parlamentare, sepse faktori ndërkombëtar don ta mbyll këtë problem, ndërkaq po ashtu do të vazhdojmë të përballemi me izolimin si vend, ashtu siç jemi sot, pa liberalizim të vizave. Mendoj që në Kosovë duhet të ketë një unitet të faktorit politik shqiptar, pozitë e opozitë, karshi dialogut”, shtoi Maliqi.

Analisti Muhaxheri gjithashtu theksoi se në rast se Kosova tregohet destruktive në këtë proces Kosova do të humb vëmendjen tek aleatët e saj e në anën tjetër Serbia do të forcojë raportet me ta dhe Kosovën e pret izolimi total.

“Nëse qeveria e Kosovës nuk do te jetë konstruktive në këtë proces pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha, do te filloj ngadalë që Kosova ta humbë vëmendjen tek aletatët e saj derisa Serbia do te fillojë ta forcojë miqësinë me ta. Si pasojë tjetër është edhe izolimi total i Kosovës dhe kjo do të thotë për Kosovën ftohje e raporteve në mes nesh dhe shteteve perëndimore. Prandaj, qeveria Kurti duhet të jetë e kujdesshme se si po i qaset këtij procesi”, thotë Muhaxheri.

Padyshim që Kosova gjendet në një situatë aspak të lehtë duke marr parasysh presionin ndërkombëtar për të treguar konstruktivitet në procesin e dialogut dhe për të bërë kompromise në mënyrë që të nënshkruajë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Ambasadori zviceran në Kosovë Thomas Kolly, në konferencën e mbajtur nga Instituti Demokratik i Kosovës për “Kapitullin e ri të Dialogut” u shpreh se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është çështje e interesit nacional.

“Konsensusi i gjerë politik është një faktor i rëndësishëm për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate. Së dyti pavarësisht asaj se në çka do të pajtoheni një ditë duhet të ratifikohet, miratohet nga Parlamenti, dhe për këtë arsye është e rëndësishme që Parlamenti të jetë i informuar rreth procesit të normalizimit” u shpreh Kolly.

Kujtojmë se takimi i radhës në mes të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet në Bruksel me datën 25 qershor./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme