“Afganët do të jenë ata që vendosin të ardhmen e tyre,” tha Presidenti Joe Biden në takimin e tij të parë me Presidentin afgan, Ashraf Ghani.
Dy udhëheqësit u takuan të premten në Shtëpinë e Baardhë, ndërkohë që forcat amerikane vazhdojnë tërheqjen nga Afganistani.
Presidenti Biden këmbënguli se mbështetja e Uashingtonit nuk po merr fund. SHBA do të vazhdojnë mbështetjen për ushtrinë afgane nga jashtë si dhe përkrahjen politike e ekonomike, tha zoti Biden.
“Do të qëndrojmë përkrah jush,” tha presidenti amerikan.
Zoti Ghani, duke folur përkrah udhëheqësit amerikan, tha se Afganistani është mirënjohës për gjakun dhe koston monetare që shpenzoi Amerika gjatë dy dekadave të fundit për vendin e tij, i cili tani gjendet në një ballafaqim të drejtpërdrejt me Talibanët.
Zoti Ghani e krahasoi situatën ku ndodhet me momentin ku ndodhej Presidenti Abraham Linkoln në 1861 në prag të fillimit të Luftës Civile amerikane.
“Jemi përballë dallimesh mes vlerave, vlerave të një sistemi përjashtues ose një sistemi gjithëpërfshirës. Ne jemi të vendosur të zgjedhim unitetin, ndjenjën kombëtare të sakrificës, mirëkuptimin dhe nuk do të rezervohemi,” tha presidenti afgan të premten, duke shtuar se forcat qeveritare kishin rimarrë nën kontroll “gjashtë distrikte, si në jug edhe në veri të vendit”.
Gjatë takimeve më herët të premten në Pentagon me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin, presidenti afgan u pyet nga një gazetar mbi reagimin e tij ndaj parashikimeve të shërbimeve amerikane të zbulimit se qeveria e tij do të bjerë brenda gjashtë muajsh pas largimit të trupave amerikane.
“Ka pasur parashikime të tilla; të gjitha kanë dalë të pabaza,” tha zoti Ghani.
Republikanët e kanë kritikuar vendimin e Presidentit Biden. Kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell tha se vendimi “i lë partnerët afganë vetëm, përballë kërcënimeve që sipas këshilltarëve të vetë presidentit janë të mëdha dhe po rëndohen. Talibanët, të inkurajuar nga largimi ynë, po kthejnë pas vite të tëra përparimi, sidoms në sferën e të drejtave të grave dhe i janë drejtuar Kabulit”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha lidhur me komentet e zotit McConnell se Presidenti Biden e kishte marrë vendimin “në përputhje me bindjen e tij se kjo luftë nuk mund të fitohet dhe se pas 20 vjetësh trupat duhet të kthehen në atdhe”./VoA/
Osmani e Maqedonci takuan Bauerin, flasin për përkushtimin e...
I pandalshëm Edon Zhegrova – ylli kosovar gjen golin në sfid...
Banorët e Bazelit miratojnë fondet publike për Eurovision
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...
S’ka gola në Ferizaj