Google ADS

Tre të vrarë e dhjetëra të plagosur pas stuhisë në Republikën Çeke

10:02 | 25 Qershor 2021
S D

Një tornado e pazakonshme dhe stuhi të forta goditën një zonë përgjatë kufirit jugor të Republikës Çeke, duke vrarë tre persona dhe plagosur rreth 150 të tjerë, ndërsa shkatërruan pjesë të disa qyteteve.

Një meteorolog i televizionit Çek tha se tornadoja, e raportuar në zonat përreth qytetit Hodonin, në afërsi të kufirit me Sllovakinë dhe Austrinë, rreth 270 kilometra në juglindje të Pragës, mund të ketë çuar shpejtësinë e erës në mbi 332 kilometra në orë.

Kjo do ta bënte atë tornadon më të fortë në historinë moderne të këtij vendi të Evropës Qendrore dhe të parin që nga viti 2018.

Stuhia shkatërroi çatitë e disa ndërtesave në qytetet Brecllav dhe Hodonin, shkuli pemë e përmbysi makinat.

Një zëdhënës i shërbimit të ndihmës së shpejtë të rajonit të Moravisë së Jugut i tha televizionit çek se tre persona vdiqën dhe dhjetëra u trajtuan për shkak të plagëve të pësuara.

Televizioni çek raportoi se shtatë qytete të vogla u dëmtuan “masivisht”. Një zyrtar i komunës Hrusky, tha se gjysma e qytetit ishte praktikisht e rrafshuar me tokë.

Ministri i Brendshëm çek, Jan Hamacek, tha se situata është shumë serioze dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin e goditur.

 

Ekipeve të shpëtimit po u bashkohen edhe ato nga Austria dhe Sllovakia.

Më herët gjatë së enjtes, stuhitë lanë pa energji elektrike rreth 100 mijë familje në zonat qendrore dhe jugore të Republikës Çeke, ndërsa pemët e rëna bllokuan binarët në rreth 30 linja trenash./ZëriAmerikës/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme