Google ADS

Vuçiq paralajmëron video-konferencë me Ramën dhe Zaevin për Mini-Schengenin

20:01 | 24 Qershor 2021
A. B.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se më 29 qershor do të mbajë një video-konferencë me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për, siç tha, përmirësimin e marrëdhënieve brenda iniciativës rajonale të Mini-Schengenit.

Mini-Schengeni është një nismë e përbashkët e Vuçiqit, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.

Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë.

Megjithatë, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik me Serbinë, të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 4 shtator, 2020, në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të Mini-Schengenit.

Vuçiq tha të enjten se pret që nga takimi të dalin vendime për veprime të përbashkëta kundër katastrofave natyrore dhe për qarkullim më të shpejtë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit.

“Ajo që ka një rëndësi të madhe për ne, është sistemi i lejeve të punës: ai që merr lejen e punës në territorin e njërit prej tre vendeve, të ketë leje pune në të tre vendet. Me këtë do të sigurojmë më shumë fuqi punëtore, që mungon në Serbi”, tha Vuçiq.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet në rajon, Vuçiq tha se bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të rritet vazhdimisht.

“Më vjen keq që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk u është dhënë datë për të filluar negociatat [për anëtarësim në Bashkimin Evropian]. Mendoj se është e padrejtë”, tha Vuçiq.

Ai po ashtu njoftoi se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Kinës, Xi Jinping, dhe tha se vendi i tij do të vendosë linja direkte udhëtimi me Kinën.

Të ngjashme