Në kuadër të zbatimit të aktiviteteve dhe objektivave strategjike për ngritjen e besueshmërisë dhe fuqizimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe mediat, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial i Kosovës, Jetish Maloku, ka nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit në mes të KPK-së dhe organizatave përfaqësuese të shoqërisë civile dhe të komunitetit të gazetarëve, CIVIKOS dhe KMSHK.
Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është ndërtimi i standardeve të komunikimit në mes të KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit me shoqërinë civile dhe mediat, duke respektuar legjislacionin penal, Ligjin për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve, Ligjin për Sinjalizuesit dhe ligjet e tjera.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Maloku, gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, tha se me këtë memorandum synohet ndërtimi i kapaciteteve dhe i rrugëve të komunikimit për raportimin e rasteve të veprave penale te Prokurori i Shtetit, të identifikuara nga shoqëria civile dhe mediat, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e raportimeve dhe informacioneve që dërgohen në Prokurorinë e Shtetit, duke ndihmuar kështu në përfitimin e dyanshëm të nënshkruesve të marrëveshjes.
Ndërkaq, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve, u shprehën të kënaqur me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi, me ç’rast potencuan se presin të bëhet intensifikimi e ndërveprimeve të përbashkëta të bashkëpunimit, duke mënjanuar vështirësitë eventuale ndërkomunikuese. Ata thanë se ky akt i hapë rrugë dialogut të strukturuar dhe ngritjes së besueshmërisë së publikut në punën e sistemit prokurorial, me anë të të prezantimit dhe publikimit transparent të kësaj pune nga ana e shoqërisë civile dhe gazetarëve.
Po ashtu, ky memorandum është përkrahur në mënyrë të veçantë edhe nga përfaqësuesit e USAID-it, si një ndër mbështetësit kryesorë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke theksuar se do t’i mbështesin iniciativat e përbashkëta në mes të sistemit prokurorial, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit të gazetarëve.
Në kuadër të nënshkrimit të këtij memorandumi është hartuar një formular bazik për mënyrën e raportimit të rasteve në prokurori, ku tregohet se si të emërtohen rastet e paraqitura nga mediat dhe shoqëria civile./arbresh.info/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...