Me kuqezinjtë që kanë marrë pushimet në pritje të nisjes së përgatitjeve me skuadrat respektive, është një Europian për t’u shijuar nga TV, por edhe për t’u mbajtur shënime.
Kanë dalë nga faza e 1/8-ave kundërshtarët tanë në eliminatoret e Botërorit, Polonia dhe Hungaria, rivalë me të cilët do të ndeshemi në shtator, por pavarësisht eliminimit, e kanë dhënë nëpërmjet paraqitjeve të tyre një mesazh të qartë paralajmërues për trajnerin Edi Reja, se asgjë nuk do të jetë e lehtë.
Hungaria, skuadra që ishte konsideruar si viktima e gatshme për t’u sakrifikuar në Grupuin F, atë të vdekjes, barazoi me Gjermaninë dhe Francën, dy prej skuadrave me të kuotuara të Kontinentit.
Paraqitje në kufijtë e heroikes, shtangën “Panzerat” në Mynih e madje ishin shumë pranë një fitoreje që do të mahniste Europën. Me mungesën e një lojtari të rëndësishëm, “yllit” të Leipzigut, Szabozlai, demonstruan se, përveç individëve të rëndësishëm, portierit Gulacsi dhe qendërmbrojtësit Willi Orban të Leipzigut, sulmuesit të Freiburgut Roland Sallai dhe atë të Mainzit Adam Szalai, mbi të gjitha kanë një grup luftarak, të disiplinuar taktikisht dhe të gatshëm të luftojë deri në fund.
U mundën nga Portugalia, por ishte një disfatë e pafat, pasi pësuan gol vetëm në minutën e 83-të, kur luzitanët e Ronaldos ishin në vështirësi serioze dhe për ta zhbllokuar ndeshjen u shërbeu një gol me dy devijime, në asist dhe finalizim.
Ndaj tyre nuk do të jetë e lehtë e po ashtu ndaj Polonisë. Ndaj Shqipërisë ndoshta do të kenë edhe dy “yje” që munguan në Europian, Milik e Piatek, por ndërkohë kanë një Lewandowski që jep shpirtin në fushë dhe është gati të marrë përsipër skuadrën kur bëhet fjalë për kombëtaren. Dy gola dhe dy shtylla në ndeshjen e fundit, ku rikuperuan nga 2-0 në 2-2 ndaj Suedisë, duke e bërë fundin e sfidës një “thriller” të vërtetë, duke kërkuar fitoren në minutat e fundit. Ndonjëherë shfaqen në kaos, por dinë të sulmojnë.
Polonia, pavarësisht 3 golave të shënuar nga vetëm Leva, ka një lidhës repartesh si Zielinski, një lojtar me eksperiencë si Glik, portierin e Juves Szczesny. Barazuan edhe ndaj Spanjës, një skuadër që, edhe pse jo me shkëlqimin e dikurshëm, mbetet ndër më të mëdhatë e Europës. Nuk është pak.
Polonia dhe Hungaria janë dy kundërshtarë të forte, që, me paraqitjet e tyre në Europian, duhet t’u kenë dhënë një mesazh të qartë kuqezinjve. Për të bërë rezultat ndaj tyre, në shtator, duhet dhënë më shumë se 100%, për momentin, duke krahasuar paraqitjet e fundit, të tyret dhe tonat. Janë më lart se ne, Shqipërisë do t’i duhet të futet në fushë me shpirtin e sakrificës, e ndoshta me shpresën që Polonia e Hungaria të jenë velur disi nga Europiani për të bërë rezultat në shtator./Ss/
Tottenhami ‘gjunjëzon’ Man Cityn – fiton me rezultat të thel...
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...