ORCA akuzon Kastratin e Dugollin se kanë bërë plagjiaturë

11:18 | 23 Qershor 2021
M. A.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka akuzuar, nëpërmjet një denoncimi anonim, profesorët e Universitetit të Prishtinës, Bujar Dugolli e Ardian Kastrati, se kanë bërë plagjiaturë në punimin me titullin “Diplomacy through the ages of history: theoretical analyses of the concept”, të botuar më 2017.

Dugolli e Kastrati janë profesorë në Fakultetin Filozofik. Kastrati është edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Dibran Hoxha nga ORCA ka thënë se pas hulumtimit është gjetur se në punim “shumica e tekstit është i ngjashëm me burime të tjera”. Që te dy këta profesorë e kanë përdorur të njëjtin punim për avancim të tyre brenda UP-së, sipas ORCA-s.

“Autoret e këtij punimi, Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, kanë marrë pjesë të tekstit nga burime të ndryshme duke i përdorur në punimin e tyre dhe duke mos e treguar burimin se nga i kanë marrë ato”, ka deklaruar ai.

Hoxha ka thënë se punimi në fjalë është futur në platformën ndërkombëtare antiplagjiaturë dhe pas filtrimit ka dalë se një pjesë e konsiderueshme e punimin është e gjitha plagjiaturë.

“Për më tepër Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli ishin avancuar duke e përdorur punimin në fjalë, duke arritur ta plotësojnë numrin e punimeve shkencore për avancim në pozitat e tyre aktuale, profesor asistent Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli në pozitën profesor i rregullt”, ka shtuar ai.

ORCA ka ftuar organet të iniciojnë procedurat për verifikimin e publikimeve dhe të merren masa në përputhje me kodin e etikës dhe rregulloren për procedura disiplinore./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme