Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Kosova do të jetë përherë mirënjohëse për kontributin e Italisë për vendin.
Konjufca në një adresim në Kuvend në seancën speciale në nder të ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi di Maio, tha se vizita e të parit të diplomacisë italiane do të thotë shumë për Kosovën.
Konjufca ka falënderuar Italinë për ndihmën e deri tanishme, që nga fillimi i bombardimeve të NATO-së, njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe shtet ndërtimin.
“Shprehim nderime për prezencën tuaj sot, sepse vendi jonë shpreh mirënjohje për të gjithë atë që ka bërë Italia për vendin tonë. Italia u bë vendi i parë ku u ngrit forca ajrore për shpëtimin e vendit tonë. Viti 2020 ishte një vit i vështirë ku mbi 3.800 qytetarë të Kosovës e humbëm jetën nga pandemia, por edhe në Itali pati humbje të mëdha. Shpreh ngushëllime për këtë humbje, duke falënderuar me këtë rast shtetin italian për ndihmat e vazhdueshme për shtetin tonë”, tha Konjufca./arbresh.info/
Fjalimi i plotë:
I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti,
Të dashur deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Më lejoni që t’i shpreh mirëseardhje në shtetin e Kosovës e në Kuvendin tonë të Republikës, Ministrit të Jashtëm dhe për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë, Shkëlqesisë së Tij, Liugi Di Maios,
I dashuri Luigji mirë se na erdhe!
Të nderuar ambasadorë të vendeve mike të shtetit tonë,
I nderuari ambasador Orlando,
Ambasadore Haxhitasimi,
I nderuari gjeneral Federiçi.
Qytetarë të dashur,
Vendi ynë ka qenë dhe mbetet shumë mirënjohës për kontributin që Republika e Italisë e ka dhënë për Republikën e Kosovës.
Në 24 mars të vitit 1999 një qytezë e vogël italiane e me pak banorë, në Kosovë u bë më e njohur se Roma e Milano.
Kjo ishte Aviano prej ku filluan bombardimet e NATO-s kudër makinerisë ushtarake e policore të Serbisë.
Këto bombardime të domosdoshme u bënë nga aleanca më e fuqishme ushtarake e botës demokratike për t’i dhënë fund gjenocidit të shtetit serb mbi popullin e Kosovës.
Italia u bë vendi i parë prej të cilit u ngrit forca ajrore për shpëtimin e popullit tonë.
Lufta jonë e drejtë e UÇK-së e gjeti mbështetjen e faktorit ndërkombëtar dhe falë këtij ndërveprimi erdhi liria e popullit tonë.
Menjëherë pas përfundimit të luftës, Italia kishte rol të rëndësishëm në të gjitha proceset e kyçe nëpër të cilat kaloi vendi ynë.
Pjesëmarrja e trupave italiane në kuadër të KFOR-it për ne ka qenë dhe mbetet faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit të Republikës së Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.
Republika e Italisë gjatë këtyre 22 viteve ka pasur rol qendror në udhëheqjen e komandës së KFOR-it në Kosovë përmes 11 komandantëve të saj.
Në mesin e shteteve të para që e njohu pavarësinë e Republikës sonë ishte Republika e Italisë.
Dhe në çdo hap të pastajmë përgjatë procesit të konsolidimit të sovranitetit tonë, shteti italian qëndroi përkrah Kosovës.
Populli i Kosovës qëndron mirënjohës edhe për qëndrimin e Italisë në GjND më 2010, edhe për mbështetjen e vazhdueshme të perspektivës evropiane të Kosovës, edhe për mbështetjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Por viti 2020 që e lamë pas ishte një vit fort i vështirë.
Mbi 3800 qytetarë të Kosovës dhe 127 mijë italianë e humbën jetën në luftë me pandeminë e koronavirusit.
I shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për të gjitha familjet që i humbën të dashurit e tyre.
Por po ashtu e falënderojmë Republikën e Italisë për të gjitha ndihmat që ia dha vendit tonë në ballafaqim me virusin COVID 19.
Vetëm të bashkuar e me një qëllim të përbashkët mund ta mposhtim çdo sfidë që i cenon edhe vendet tona, por edhe globin në përgjithësi.
Marrëdhëniet tona me Republikën e Italisë janë miqësore e të ngushta.
Por ne zotohemi që bashkëpunimin do ta thellojmë edhe më tej. E vizita e ministrit Di Maio përbën moment qenësor në këtë drejtim.
Ju faleminderit për vëmendje!
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import t...
Edhe 17 ditë afat për certifikim të partive, ende asnjë apli...
USAID 25 vjet në Kosovë, Ambasada amerikane: Riafirmim i për...
Izraeli urdhëron evakuime në disa zona të Gazës, nxit një va...
Nwaneri në histori të Arsenalit, Arteta me fjalë të mëdha pë...
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”