Shqipëri-Turqi, rritet bashkëpunimi në fushën e doganave

17:29 | 22 Qershor 2021
A. B.

Rritja e bashkëpunimit mes dy administratave, sidomos në shkëmbimin e informacionit, por edhe lehtësimi i procedurave për biznesin e të dy vendeve, ishin në qendër të takimit bilateral me drejtorit të përgjithshëm të Doganave Shqiptare, Genti Gazheli, me delegacionin e lartë të Doganave Turke, i cili kryesohej nga dy drejtorët e përgjithshëm, Mustafa Gümüş dhe Murat Yaman.

Në frymën e bashkëpunimit të dy qeverive, takimin e përshëndeti edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Gjatë këtij takimi, Gazheli i njohu homologët me risitë e sistemit doganor shqiptar, si dhe theksoi rolin e dy administratave si shumë të rëndësishëm në nxitjen, zhvillimin dhe lehtësimin e tregtisë.

Duke parë stadin e ri të marrëdhënieve mes dy vendeve, Gazheli i propozoi homologut turk, thellimin e bashkëpunimit institucional nëpërmjet një MoU në shkëmbimin e informacionit periodik në funksion të mbrojtjes së intetresave shtetërorë dhe mbrojtjes konsumatore, luftën kundër trafiqeve të paligjshme, substancave narkotike, pastrimit të parave, si dhe parandalimit të kërcënimeve terroriste, me të cilat përballet sot e gjithë bota.

Drejtori i përgjithshëm turk Gümüş, vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme dhe se ky bashkëpunim do të thellohet më tej me nisma dhe projekte të përbashkëta në fushën e IT, logjistikës, laboratorit doganor etj.

Ndër çështjet kryesore që u diskutuan mes delegacioneve ishin: Bashkëpunimi në fushën Programeve dhe Menaxhimin e Riskut; Shkëmbimin e informacionit lidhur me legjislacionin në fuqi; Teknologjia e Informacionit dhe zhvillimet e pritshme; Asistenca në logjistikë; Asistencë dhe bashkëpunim në fushën e laboratorëve doganorë.

Referuar statistikave, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve llogariten, importet nga Turqia për 5-mujorin e parë të vitit 2021 ishin në një volum prej 246,272 tonë dhe vlerë prej 33,345 milionë lekë ose 244.4 milionë euro, ndërsa eksportet për këtë periudhë janë realizuar një volum prej 35,249 tonë me një vlerë prej 2,555 milionë lekë me rritje të peshës së eksporteve në drejtim të Turqinë me 32,009 tonë dhe rritje të vlerës me 1,704 milionë lekë krahasuar me 5-mujorin e vitit 2020.

“Bilanci tregtar mes dy vendeve, tregton një rritje të fortë dhe të qëndrueshme të volumeve tregtare mes Shqipërisë dhe Turqisë ndaj dhe administratat doganore të dy vendeve tona duhet t’í përgjigjen me të njëjtin intensitet në lehtësimin e procedurave dhe mbështetjen e tregtisë së ligjshme, mbrojtjen konsumatore dhe konkurrencës së ndershme”, tha Gazheli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme