Osmani: Drejtësia, parakusht për paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë

16:15 | 22 Qershor 2021
Arbresh.info

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se drejtësia është parakusht për paqe të qëndrueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata të martën nga Vjena, pas takimeve që ka zhvilluar me zyrtarë të lartë austriakë.

Në një konferencë të përbashkët për media me homologun e saj nga Austria, Alexander Van der Bellen, Osmani ka thënë se Serbia ka kryer luftë të tmerrshme në Kosovë kundër civilëve të pafajshëm dhe se për këto krime nuk ka ende kërkimfalje dhe pendesë nga Serbia.

“I bëj ftesë presidentit (serb Aleksandar) Vuçiq që së paku ta vendosë një lule në Batajnicë, në varrezën masive ku janë gjetur qindra fëmijë të vegjël e gra, të cilët ishin vrarë gjatë luftës në Kosovë”, ka deklaruar Osmani, duke thënë edhe se Kosova pret nga Serbia që të kthejë eshtrat e të pagjeturve.

Mes tjerash, Osmani ka përmendur edhe qëndrimin e BE-së karshi Serbisë.

“Mendoj se Bashkimi Evropian duhet të jetë i qartë me Serbinë, që ajo nuk mund të luajë me dy karta, edhe me Rusinë, edhe me Bashkimin Evropian. Ajo nuk mund të ulet në dy karrige në të njëjtën kohë, duhet ta zgjedhë cila është rruga e saj e vërtetë, e jo të hiqet si pro-evropiane në njëjtën anë, por ta rrisë bashkëpunimin edhe ushtarak edhe ekonomik, edhe politik me Rusinë në anën tjetër, duke rrezikuar kështu gjithë rajonin tonë nga ndikimi rus”, ka deklaruar ajo.

Sipas Osmanit, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, nuk ka qenë kurrë për statusin e Kosovës dhe se ky proces, duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Po të martën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk ka nevojë për një konflikt të ngrirë me Kosovën.

Duke paraqitur para Kuvendit të Serbisë raportin për dialogun me Kosovën, Vuçiq ka thënë se serbët në Kosovë duan që negociatat të zhvillohen, në mënyrë që të arrihet ndonjë zgjidhje kompromisi në të ardhmen.

“Kur të më pyesni se çfarë është kompromisi, unë do të them: nuk e di”, ka deklaruar Vuçiq para ligjvënësve serbë.

Vuçiq ka thënë se dialogu me Kosovën është “transparent” dhe se pretendimet se “dikush po fsheh diçka diku dhe po përpiqet të mashtrojë publikun” janë “gënjeshtra”.

Raundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është mbajtur më 15 qershor.

Ky njëherësh ka qenë takimi i parë që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut.

Në fund të takimit, zyrtarët kanë bërë të ditur se nuk janë marrë vesh për asnjërën nga temat e ngritura.

Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme