Google ADS

Mbi 10 mijë maqedonas marrin dozën e dytë të vaksinës ndaj COVID-19 në Serbi

18:08 | 19 Qershor 2021
A. B.

Pikat e vaksinimit në Vranjë, Nish dhe Beograd ishin destinacionet për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, kryesisht për të marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19.

Vetëm në Beograd dhe Nish, në fund të marsit të këtij viti, kur nuk kishte vaksinë në Maqedoninë e Veriut rreth 15 mijë qytetarë u vaksinuan me vaksinën “Astra Zeneca”.

Edhe pse fillimisht nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë u njoftua se do të bëhen përpjekje, që rivaksinimi të bëhet në vend, këta qytetarë duhet të shkojnë sërish në Serbi për dozën e dytë, sepse ministria vendosi që “Astra Zeneca” të jepet vetëm për personat mbi 60 vjeç.

Mëngjesin e kësaj të shtune kishte tollovi në vendkalimin kufitar Tabanoc, ku njerëzit prisnin nga 30 deri në 40 minuta për të dalë.

Punonjësit e Odës Ekonomike të Maqedonisë dhe punonjësit e kompanive anëtare të saj u rivaksinuan sot në Nish.

Nga Ministria e Brendshme informuan se tre mijë e 587 shtetas të Maqedonisë së Veriut u larguan sot nga vendi përmes Tabanocit deri në orën 12:oo.

Dje, gjashtë mijë e 570 qytetarë u larguan nga vendi gjatë gjithë ditës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme