Deliu: Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë

15:38 | 19 Qershor 2021
Arditë Shkodra

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka reaguar pas deklaratave të zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se marrëveshja e Washingtonit e arritur nga ish-Qeveria Hoti është jo-legjitime pasi nuk është dërguar në Kuvend.

Deilu përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Facebook ka thënë se kryeministri Kurti e ka shpallur armiqësore Shtëpinë e Bardhë, transmeton arbresh.info

“Kryeministri Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë duke kontestuar vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Ajo ka thënë se përpjekjet për të armiqësuar marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të, duke trilluar “thika mbi harta” dhe zhvlerësuar legjitimitetin e Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, janë veprime të rrezikshme që kërkojnë reagimin mbarë shoqëror.

Postimi i saj i plotë:

Kryeministri Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë duke kontestuar vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç na kujtohet, ish-Kryeministri izraelit, pa qenë fare i pranishëm në takim dhe i përfshirë në negociata, por vetëm nëpërmjet një komunikimi me telefon me Presidentin amerikan konfirmoi vullnetin e Presidentit të SHBA-ve duke respektuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë dhe duken e zbatuar atë me njohjen e shtetit të Kosovës.

Kujtojmë, po ashtu, se po në atë Shtëpi të Bardhë, pa kaluar nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, Presidenti amerikan i asaj kohe mori vendimin historik për të shporrur forcat gjenocidale të Serbisë dhe ndihmuar luftën e nisur të popullit të Kosovës për çlirim.

Përpjekjet për të armiqësuar marrëdhënien e Kosovës me SHBA-të, duke trilluar “thika mbi harta” dhe zhvlerësuar legjitimitetin e Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë janë veprime të rrezikshme që kërkojnë reagimin mbarë shoqëror.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë e vetmja garanci, të cilës populli i Kosovës i beson!

Të ngjashme