Google ADS

Kapet 300 kg kokainë në Portin e Durrësit, gjendet në kamionin e një shtetasi nga Maqedonia e Veriut

20:26 | 18 Qershor 2021
A. B.

Plot 300 kilogramë lëndë e dyshuar kokainë është sekuestruar në Portin e Durrësit nga Task Forca e Portit. Policia e Shqipërisë njofton se droga është gjetur në kamionin e një shtetasi nga Maqedonia e Veriut.

“Si rezultat i kontrolleve të shtuara me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësi, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë në dalje një kamion transit me targa të Maqedonisë së Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kamionin që drejtohej nga një shtetas nga Maqedonia e Veriut, Task Forca gjeti të fshehur në trupin e kamionit, një sasi rreth 300 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Po ashtu raportohet se drejtuesi i kamioni, një 40-vjeçar nga Maqedonia e Veriut është arrestuar, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.

“Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës u arrestua në flagrancë drejtuesi i kamionit, shtetasi N. A., 40 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut”, bën të ditur policia.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme