Google ADS

Refugjatëve nga lindja ju pëlqen Kosova, jo të gjithë largohen për në perëndim

08:03 | 18 Qershor 2021
S D

Siç dihet tashmë, Kosova ka pasur një trend të ardhjes së refugjatëve nga vendet e lindjes së mesme, kryesisht nga Siria , për shkak të situatës jo stabile atje. Shumica prej tyre e përdorin Kosovën si tranzit për të shkuar në vendet më të zhvilluara Evropiane, e pjesa tjetër qëndrojnë në Kosovë. Mirëpo, sa ka Kosova kapacitete të mjaftueshme që t’i mbaj ata këtu dhe çka i’u ofron, a po respektohen të drejtat e tyre në mënyrë të duhur dhe cilat janë disa nga rreziqet që mund të vijnë nga ta.

Të kontaktuar nga arbresh.info, Ministria e Punëve të Brendshme tregon se azilkërkuesve në Kosovë i’u ofrohen kushte optimale, si strehimi, akomodimi, ushqimi, shërbime shëndetësore, shërbime juridike e një sërë shërbimesh tjera, dhe të gjitha shërbimet janë pa pagesë.

“Azilkërkuesit marrin edhe asistencë sociale mujore nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila asistencë është e barasvlershme me qytetaret tanë. Qendra për Azil ofron edhe hapësira rekreative për azilkërkuesit fëmijë dhe të rritur, siç janë: këndi i lojërave për fëmijë (brenda dhe jashtë objektit të Qendrës), fusha e futbollit, fitnes, biblioteka(salla e leximit) dhe salla e TV-së, etj…”, tregojnë në MPB.

MPB njofton gjithashtu se nga 1 janari i këtij viti e deri më sot, 187 persona kanë kërkuar azil në Kosovë, e prej tyre, 60 janë të akomoduar, ndërsa të tjerët janë larguar.

Shumë shqetësime dhe ankesa janë adresuar nga ana e qytetarëve, për sjelljen e këtyre refugjatëve në Kosovë, andaj arbresh.info kontaktoi analistin e sigurisë, Nuredin Ibishi i cili tha se edhe pse duhet të kemi në konsideratë të kaluarën tonë sepse edhe ne si popull kemi qenë në pozitë të njëjtë, ekziston një gamë e gjerë e rreziqeve të cilat mund të vijnë nga këta refugjatë.

“Duhet që si institucionet si dhe vet qytetarët të kemi konsideratë anën humane pasi edhe vet kemi qenë në një situatë të tillë para 22 viteve, por duhet të ketë kujdes të theksuar në sigurinë tek qendrat e vendosjes sepse ata shpesh i kanë sulmuar edhe ata që meren me sigurinë në qendra të vendosjes por edhe njëkohësisht me sigurinë e qytetarëve sepse ata janë shpesh cak i vjedhjeve dhe të dëmtimeve të pronës së tyre por po ashtu vlen të ceket edhe dëmtimi i pronës publike. Gjithashtu mund të ketë rrezik edhe nga sulmet terroriste, pra është një gamë e gjerë e rreziqeve prandaj institucionet shtetërore të sigurisë duhet të kenë kujdes që rastet të caktuara ti trajtoj me kujdes, se mos janë anëtarë të ndonjë organizate terroriste”, tha Ibishi për arbresh.info.

Përpos aspektit të sigurisë, është i rëndësishëm edhe aspekti i respektimit të të drejtave të njeriut, mënyra se si trajtohen këta refugjatë nga shteti ynë.

I pyetur nga arbresh.info, drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Bexhet Shala, tregon se për nga ana e respektimit të të drejtave të njeriut, Kosova nuk ka bërë asnjë shkelje, madje qëndron më mirë se disa nga vendet e rajonit.

“Në aspektin e të drejtave të njeriut Kosova nuk e bon asnjë shkelje, duke marr parasysh kapacitetin pranues dhe mundësitë materiale, Kosova i trajton shume mirë ata. Ne kemi vizituar qendrat e strehimit, si në Magure, si në Bërnicë, kushtet dhe trajtimi është shumë i mirë. Kosova për nga ana e trajtimit të refugjatëve qëndron më mirë se shumica e vendeve të rajonit, sepse nuk e ka penguar asnjë ardhje dhe nuk ka përdorur forcë asnjëherë ndaj refugjatëve qysh kanë përdorur vendet e tjera, si në Hungari dhe në Bosnje, ku ata kanë vështirësi ndonjëherë ta sigurojnë edhe bukën e gojës”, tha Shala.

Megjithatë Shala shtoi se ata duhet t’i binden ligjeve të vendit tonë, për aq kohë sa janë në Kosovë.

“Nuk ka asnjë disponim racist ndaj tyre, nuk ka asnjë urrejtje për shkak te përkatësisë se tyre, qoftë etnike, qoftë fetare, po sidoqoftë çdo shtet merr masa mbrojtëse per ata që shkelin ligjin. Të gjithë refugjatët apo azilkërkuesit, për aq kohë sa janë në Kosovë duhet t’i binden ligjit të vendit” u shpreh Shala.
Refugjatët kanë ardhur për shkak të jo stabilitetit politik në vendet e tyre. Numri më i madh i refugjatëve të ardhur janë nga Siria, e një numër më i vogël janë nga Maroko, Palestina, Algjeria, Irani, Tunisi, Jemeni, Egjipti, Libani./Florent Haxhnikaj/arbresh.info/

Të ngjashme