Sektori i biznesit reagon kundër shtrenjtimit të derivateve të naftës në Maqedoni

18:20 | 16 Qershor 2021
Arditë Shkodra

Taksa ekologjike prej 3.5 denarë për dizelin dhe benzinën do të ndikojë në xhepat e qytetarëve dhe të gjithë ekonomisë. Komuniteti i biznesit ka reaguar ashpër ndaj qeverisë se nuk është koha për miratimin e taksës ekologjike, veçanërisht kur ekonomia nuk është rimëkëmbur ende nga kriza me Pandeminë.

“Si pasojë e krizës ne tashmë kemi një rritje të dukshme të çmimeve, e cila do të përforcohet vetëm me futjen e taksës ekologjike.” Taksa ekologjike, e cila ka si funksion dekurajimin e sjelljeve dhe aktiviteteve që kontribuojnë në ndotjen, duhet të ketë përparësi, por aplikimi i tij duhet të ketë disa dinamika. Aplikimi i zgjidhjeve ad hok krijon papara shikueshmëri dhe pasiguri, që ndikon drejtpërdrejt negativisht në uljen e aktivitetit ekonomik”, thonë nga Lidhja e Odave Ekonomike.

Edhe transportuesit reagojnë ndaj Qeverisë duke thënë të mendohet aplikimi i kësaj takse.

“Taksat ekologjike më së paku paguhen përmes çmimit të karburantit, por përmes pikave të pagesës, kështu që, në 10 vitet e fundit BE në bazë të pikave ekologjike të pagesës siguroi që mos të mund të hyjnë në territorin e tyre makinat që kanë standard më të ulët se EURO 4. Kjo është gjobë, nuk është shpërblim, do të thotë, nuk është diçka pozitive”, deklaroi Biljana Muratovska- MAKAM TRANS.

Por, sipas kryeministrit Zaev taksa ekologjike nuk do të ketë ndikim ndaj ekonomisë sepse si shtet paguajmë naftë më të lirë.

“Shteti ishte këtu për të paguar kur ishte e vështirë për transportuesit. Përfundimisht 3.5 denarë nuk do të ndikojnë në diçka të veçantë, duke pasur parasysh se të gjithë në mënyrë të barabartë dhe të gjithë në mënyrë të përshtatshme mbajnë një pjesë të detyrimit për agjendën e gjelbër për ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Jam i bindur në atë që çmimi i naftës është më i liri në kontinent, kjo është argument serioz për të gjithë”, tha Zoran Zaev.

Sipas kryeministrit Zaev, taksa do të stimulojë qytetarët të zëvendësojnë mjetet e transportit me makina elektrike dhe skuterë, biçikleta dhe të ngjashme. Megjithatë, në blerjen e fundit të 45 automjeteve me lizing për nevojat e Qeverisë, asnjëra prej tyre nuk është elektrike. Zaev premton se në blerjet e ardhshme ata do të përpiqen të sigurojnë lloje të tilla të mjeteve transportuese, por edhe do të stimulohen përfaqësuesit e qeverisë dhe ministrat deri në vendet e tyre të punës të udhëtojnë me trotinetë, biçikleta ose makina elektrike./alsat

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme