Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Muhamet Hamiti ka komentuar takimin e ditës së djeshme në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit.
Hamiti ka thënë se paraqitjet e djeshme para mediave të Kurtit e Vuçiq ishin për konsum të brendshëm politik.
“Takimi nuk shënoi rinisje të njëmendet të dialogut, as u kornizua vazhdimi i tij. Asnjë hap përpara nuk u bë dje”, shkroi Hamiti.
Ai thotë se është e qartë që Serbia nuk është e interesuar për dialog pasi e di që në fund ai pashmangshëm dërgon në njohjen e Kosovës, por sipas tij ky nuk është interes i Kosovës.
“Serbia e Vuçiqit është e interesuar për vazhdimin e status kuosë, për ngecje e jo për përparim. Gjendja e tillë nuk është në interesin e Kosovës që, mbas njohjes nga Serbia dhe nga pesë vendet e BE-së që nuk na kanë njohur ende, duhet të niset rrugës së integrimeve euro-atlantike”, tha tutje zyrtari i LDK-së.
Hamiti thotë se “zhurma e Kurtit” nuk e dërgon Kosovën përpara.
“Kryeministri duhet të bëjë ç’është e mundur për t’i dhënë fund gjendjes së status kuosë në raportet e vendit tonë me Serbinë. Me asgjë të mos bëhet mbulesë për strategjinë e Serbisë për ta zvarritur këtë proces, për të fituar kohë, me synimin e Vuçiqit e të regjimit të tij që në këtë ndërkohë të fitojë hapësirë për aranzhmane diabolike që do të defunksionalizonin shtetin e pavarur e sovran të Kosovës”.
Hamiti shkruan më tej se Kosova nuk guxon të bjer në kurthin e Vuçiqit pasi sipas tij Serbia e do pezullimin e dialogut.
“Në këtë kurth të Vuçiqit s’bën të bjerë Qeveria e Kosovës. Prandaj, Kryeministri Kurti duhet ta lërë retorikën e opozitarit e të bëjë punën e kryeqeveritarit të Republikës sonë, si në punët e brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me vendet e tjera”, përfundon shkrimi i Hamitit.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...