Mungesa e ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi ka pamundësuar mbajtjen e seancës fillestare në rastin ku ai po akuzohet për keqpërdorime lidhur me “Fondin 3%”.
Në seancën e paraparë të mbahej në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka munguar edhe mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha.
Lidhur me mungesën e avokatit Berisha, gjykatësi Mentor Bajraktari ka thënë se i njëjti me parashtresë ka kërkuar shtyrjen e kësaj seance me arsyetimin se i akuzuari Bukoshi, për shkaqe shëndetësore nuk mund të merr pjesë në këtë seancë.
Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Atdhe Dema ka thënë se është në dijeni se kjo procedurë penale ndaj të akuzuarit Bukoshi është veçuar më herët për arsye të njëjta, prandaj ai ka thënë se kur të plotësohen kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor do të paraqitet përsëri në gjykim.
Pas kësaj, gjykatësi Bajraktari me vendim e ka shtyrë shqyrtimin fillestar për afat të pa caktuar.
Ai tha se nga mbrojtësi i të akuzuarit Bukoshi, avokati Berisha do të kërkojë kontaktin dhe adresën e saktë të të akuzuarit Bukoshi dhe po ashtu tha se do të kërkojë dokumente shëndetësore lidhur me trajtimin e tij.
Kjo, siç tha Bajraktari, do të bëhet me qëllim që të kërkohet mendim nga një ekspert që të vërtetohet nëse i akuzuari është apo jo i aftë të ndjek gjykimin.
Ndryshe, të përfshirë në këtë rast janë edhe ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani si dhe ish-këshilltari i Bukoshit, Atdhe Gashi, por që procedura ndaj Bujar Bukoshit ishte veçuar për arsye shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, në nëntor të vitit të kaluar i kishte shpallur fajtorë Naser Osmanin dhe Atdhe Gashin, për veprën penale të shpërdorimit në rastin e “Fondit 3%”.
Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për veprën penale të shpërdorimit ishin dënuar secili veç e veç me 3 vite burgim.
Aktakuza ndaj Bukoshit, Osmanit dhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Bujar Bukoshi, po akuzohet se gjatë viteve 2008-2015, në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar mjete monetare në shumë mbi 90 mijë euro, nga i ashtuquajturi “Fondi 3 %”, të deponuara në bankën “NLB”, para të cilat i ka tërhequr kesh, por pa i arsyetuar se për çfarë qëllimi i ka shfrytëzuar.
Po ashtu, Bujar Bukoshi akuzohet se si Kryetar i Bordit të “UFORK-ut”, i është shmangur pagesave tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës në shumën mbi 39 mijë euro, ndërsa Naser Osmani se në cilësinë e anëtarit të këtij bordi ka kryer shmangie tatimore në vlerë mbi tre mijë euro dhe Atdhe Gashi për shmangie tatimore në vlerën mbi dy mijë euro.
Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, akuzohen se në bashkëkryerje, gjatë viteve 2006-2015, kanë përvetësuar kundërligjshëm mjete monetare në vlerë mbi 154 mijë euro nga banka “BPB”, mjete këto të destinuara për “Fondin 3 %”, paarsyetuar se për çfarë qëllimi i kanë shfrytëzuar.
Prokurori Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.
Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi – Kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, akuzohen se në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjell vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë.
Ata po akuzohen se kanë tërhequr shumën prej 154,132.47 euro në kesh dhe nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës.
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...