Analiza e DW: Kurti-Vuçiç, një takim me shumë të panjohura

00:46 | 15 Qershor 2021
Trina Galanxhi

Në Bruksel takohen me 15 qershor për herë të parë kryeministri i Kosovës Kurti dhe presidenti i Serbisë Vuçiq. Tema më e përfolur është Asociacioni, por mes palëve ka tensione të shumta.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur para më shumë se 10 vitesh, e tani do të vazhdojë me një takim në nivelin më të lartë politik më 15 qershor, kur për herë të parë sy më sy do të takohen presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Para raundit të ri të bisedimeve që do të mbahet në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, diplomatët evropianë thonë se e vetmja gjë e sigurt që pritet është mbajtja e takimit Vuçiq-Kurti. Ndërkohë që rezultatet e mundshme të bisedimeve dhe as hapat e ardhshëm të mundshëm në këtë proces nuk mund të parashikohet.

“Të dy bashkëbiseduesit u zotuan se do të vijnë në takim të martën. Ne nuk mund të planifikojmë asgjë më shumë se kaq. Nëse ata do të gjejnë një gjuhë të përbashkët apo jo, nëse të gjithë do të jenë konstruktivë, nëse do të bien dakord se si të procedohet me procesin apo jo, gjithçka mbetet për t’u parë të martën”, thonë burimet diplomatike nga Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme. Vlerësime të tilla të kujdesshme të ndërmjetësuesve në dialog bazohen në faktin se të dy negociatorët vijnë në Bruksel me pozicione krejtësisht të ndryshme për gati të gjitha temat – prej kornizës, parimeve, përbërjes e deri tek rezultati i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti thotë se do të fillojë një “dialog i ri”, i cili “nuk mund të vazhdojë në formën e mëparshme”.

“Ne duam një dialog të përgatitur mirë, ku të gjithë duhet të jemi të barabartë”, thotë Kurti duke shtuar se zgjidhja duhet të çojë në njohjen e reciproke mes këtyre dy vendeve. Ndërsa për presidentin e Serbisë, njohja e ndërsjellë është jashtë diskutimit. Vuçiq e sheh zgjidhjen në kompromis, të cilin ai e përcakton gjerësisht “me mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare të Serbisë dhe popullit serb”. Beogradi mendon se fillimisht duhet të flitet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në përgjigje ndaj qëndrimeve të Kurtit se nuk do të ketë Asociacion njëetnik në territorin e Kosovës, Vuçiq i rekomandoi kryeministrit të Kosovës “që të mos vie fare në takimin e Brukselit nëse nuk dëshiron të diskutojë për formimin e Asociacionit”.

A do të ndërhyjë Bideni?

Duke pasur parasysh pozicione kaq të ndryshme, si dhe faktin që të dy udhëheqësit po takohen “ballë për ballë” për herë të parë, Bashkimi Evropian parashikon skenarë të ndryshëm të mundshëm, për vazhdimin e dialogut.

“Nëse gjërat shkojnë në drejtim pozitiv, ndoshta udhëheqësit vendosin që pas takimit të parashikuar të zgjasë katër orë, të vazhdojnë bisedimet në një drekë dypalëshe, gjë që ne me siguri do t’ua mundësonim”. Nëse ndodh ndonjë situatë e paparashikuar, ndonjë problem apo njëri nga bashkëbiseduesit nuk pajtohet me vazhdimin e procesit, shefi i diplomacisë së BE, Josep Borrell, është i gatshëm të flasë drejtpërdrejt edhe me presidentin e SHBA, Joseph Bidenpër këtë çështje. Ata të dy do të takohen në kuadër të samitit BE – SHBA”, bëjnë të ditur burimet diplomatike në Bruksel.

Vihet re se pas ndryshimit të administratës në Uashington, BE-ja gjithnjë e më shpesh po flet në shumës për “pritjet e BE dhe SHBA” nga Beogradi dhe Prishtina. Pasi që Albin Kurti i tha hapur Brukselit se ai do të paraqitej në bisedime me Beogradin kur të ishte “gati” për këto bisedime, e jo kur të njoftohej nga shefi i diplomacisë së BE Josep Borrell, nga Uashingtoni pritet që ai të përdorë influencën e tij për të “përgatitur” kryeministrin e Kosovës për negociata konstruktive.

Dy liderë me mandate të fuqishme

Njohësit e Kurtit paralajmërojnë se ai është “më i vështirë për bashkëpunim” jo vetëm për Brukselin, por edhe për Uashingtonin, krahasuar me paraardhësit e tij në Kosovë. BE i përgjigjet Kurtit se “nuk do të ketë një dialog të ri”, por bëhet fjalë për vazhdimin e procesit të filluar në vitin 2011, i cili “ka mbetur i njëjtë pavarësisht ndryshimeve të partnerëve dhe qeverive në Beograd dhe Prishtinë”. Në një nga dokumentet e punës të paraqitura nga Shërbimi Evropian për Politikë të Jashtme, muajin e kaluar, parashikohet mundësinë e arritjes së një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme midis Beogradit dhe Prishtinës deri në fund të 2021. Shumëkush e vlerëson këtë si një optimizëm të pabazuar, në një situatë kur as zhvillimi i një takimit të vetëm nuk mund të parashikohet. Por nga ana tjetër, nëse dy liderë me mandate kaq të forta të fituara në zgjedhje, e gjejnë ndonjë hapësirë ​​për marrëveshje, atëherë zgjidhja e “çështjes së Kosovës” nuk ka qenë kurrë më afër. /Nga Marina Martinovic, DW

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme