Google ADS

NATO mbetet e përkushtuar për praninë e saj në Kosovë

18:45 | 14 Qershor 2021
Përparim Bublaku

Ka përfunduar në Bruksel samiti i vendeve anëtare të NATO-s, i pari me prezencë fizike që nga viti 2018 për shkak të pandemisë së koronavirusit. Udhëheqësit e 30 vendeve anëtare kanë adresuar çështjet të sigurisë globale dhe rreziqeve me të cilat ballafaqohen vendet anëtare përfshirë ato nga Kina, Rusia dhe Irani.

Në deklaratën përfundimtare të përbashkët, krerët e NATO-s kanë adresuar edhe praninë në Kosovë dhe situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

NATO-ja ka përsëritur edhe në samitin e sotëm (14 qershor), përkushtimin për vazhdimin e angazhimit në Kosovë dhe ka mbështetur edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mbetemi të përkushtuar për angazhimin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, përfshirë edhe përmes KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja që kontribuon për një ambient të sigurt dhe stabilitet të gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sikur edhe për përpjekjet e ndërtimit të kapaciteteve me organizatat e sigurisë së Kosovës. Çfarëdo ndryshimi në përbërjen e KFOR-it në Kosovë, do të bazohet në kushtet e jo në kalendar kohor”, thuhet në deklaratën e përbashkët të aleatëve të NATO-s.

Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, në deklaratë thuhet se NATO-ja “mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet tjera me qëllim të normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe u bën thirrje palëve që të shfrytëzojnë rastin dhe të angazhohen me besim të mirë drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”.

Në këtë deklaratë thuhet se “Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, siç është nënvizuar me historinë tonë të gjatë të bashkëpunimit dhe operacioneve”.

“NATO-ja mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj aspiratave euro-atlantike të vendeve të rajonit. Ne do të rrisim përpjekjet tona në rajon dhe të zgjerojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik në mënyrë që të mbështesim reformat, promovojmë paqen dhe sigurinë rajonale dhe t’i kundërvihemi ndikimit qëllimkeq të aktorëve të jashtëm”, thuhet në deklaratë./Rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme