LDK kundërshton vendimin e Osmanit për Dakën: Goditje për lirinë dhe demokracinë në vend

18:30 | 14 Qershor 2021
Përparim Bublaku

Lidhja Demokratike e Kosovës me shqetësim të madh e ka pritur vendimin e sotëm të Presidentes së Kosovës për ndërprerjen arbitrare të mandatit të Kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, e cila, sipas vlerësimeve të përgjithshme, këtë detyrë e ka ushtruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

Lidhja Demokratike e Kosovës, vendimin për ndërpreje të mandatit të kryesueses së KQZ-së, në prag të zgjedhjeve lokale, e konsideron si të pabazuar dhe me argumente të paqëndrueshme.
“Puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Prandaj, vendimin e sotëm e shohim si goditje të rëndë ndaj një institucioni të pavarur kushtetues me performancë të mirë”.

Mes tjerash thuhet se një vendim i tillë është i papranueshëm dhe një goditje për lirinë dhe demokracinë e vendit.

“Vendimi, për më tepër, rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, në prag të të cilave është Kosova. KQZ-ja, në këtë periudhë përgatitore ka pasur nevojë për stabilitet institucional. Ky stabilitet është cenuar. Prandaj, si i tillë, vendimi i sotëm, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është i papranueshëm dhe një goditje për lirinë dhe demokracinë në vendin tonë”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme