OKB: 33 mijë fëmijë të rajonit Tigray rrezikojnë të vdesin nga uria

19:41 | 11 Qershor 2021
A. B.

Rreth 33,000 fëmijë tejet të kequshqyer në rajonin Tigray të Etiopisë janë në rrezik të lartë të vdekjes, ka thënë Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF).

Ky rajon është shkatërruar nga luftimet në mes të forcave qeveritare dhe rebelëve, dhe prej kur kanë nisur luftimet në nëntor të vitit 2020, janë shpërnguluar 1.7 milion persona.

Një studim i përkrahur nga Kombet e Bashkuara, i publikuar të enjten, ka gjetur se 353,000 persona në këtë rajon janë duke jetuar në “krizë të madhe”.

Qeveria e Etiopisë ka hedhur poshtë të dhënat, duke thënë se ndihmat janë duke depërtuar në atë zonë.
Sipas raportit, situata me ushqim në këtë rajon ka arritur në nivele “katastrofike”, andaj UNICEF ka bërë thirrje që të ketë qasje në këtë rajon për dhurim të ndihmave humanitare.

“Ndonëse shifra 353,000 nuk e përmbush pragun e nevojshëm (20 për qind të popullsisë së anektuar) për të shpallur deklaratë zyrtare për uri, le të mos luajmë me fjalë, kur njerëzit janë duke vdekur”, ka thënë zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder të premten.

Rreth 33,000 prej tyre janë fëmijë dhe foshnjat janë në rrezik të madh për të vdekur nga kequshqyerja, ka thënë kjo Agjenci.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga të gjitha palët e përfshira në konflikt që të pajtohen për një armëpushim, për të lejuar dërgimin e ndihmave për miliona persona që kanë nevojë për ndihmë.

Ndërkohë, Qeveria e Etiopisë ka thënë se trupat e Eritresë, që kanë qenë të përfshira në konflikt, kanë nisur të largohen nga rajoni Tigray, pas disa muajve të presionit ndërkombëtar për t’u larguar nga zona.

Pse ka pasur luftime në Etiopi?

Konflikti ka bazën në tensionet afatgjata në mes të Frontit Çlirimtar Popullor, parti e fuqishme rajonale, dhe Qeverisë qendrore të Etiopisë.

Kur kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed kishte shtyrë zgjedhjet kombëtare për shkak të koronavirusit në muajin qershor të vitit të kaluar, marrëdhëniet ishin përkeqësuar.

Fronti Çlirimtar Popullor ka thënë se mandati i qeverisë qendrore ka skaduar dhe se Abiy nuk është testuar në zgjedhjet kombëtare.

Në muajin shtator të 2020-ës, kjo parti ka mbajtur zgjedhjet e veta, të cilat qeveria qendrore i ka konsideruar “joligjore”.

Më pas, më 4 nëntor, kryeministri i Etiopisë ka njoftuar për operacion kundër Frontit Çlirimtar Popullor, duke e akuzuar forcat e saj për sulme kundër selisë së ushtrisë në Mekelle.

Fronti Çlirimtar Popullor ka hedhur poshtë këto pretendime.

Trupat e këtij Fronti, që përbëhen nga njësitet paraushtarake dhe milicia lokale, kanë rreth 250,000 anëtarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme