Google ADS

Ish-ministri i Kurtit thotë se reciprociteti është parim kyq në dialogun me Serbinë

19:52 | 7 Qershor 2021
Përparim Bublaku

Ish- ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, ka paraqitur shtatë parimet e tij për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Reka i cila ka qenë ministër në qeverinë Kurti 1 në një postim në Facebook, thotë se këto parime i ka paraqitur edhe para 2 viteve, por sipas tij ndonëse ka ndryshuar shumëçka këtyre parimeve nuk u ka humbur aktualiteti.

Postimi i plotë i tij:

Më 2019, shkruaja për 7 parimet e dialogut, Kosovë-Serbi. Ato, i shtjellova më vonë, në 60 faqe të njërit nga kapitujt e librit tim: ”Balkans Geopolitics: Between Cold War and Hot Peace”,(2020).

Sot, pas dy vitesh ndryshoi shumë çka, por duket se nuk humbi aktualiteti i parimeve në vijim:

1.NEGOCIATA NDËRSHTETËRORE. Dialogu, mund të vazhdojë vetëm si proces negociator midis dy shteteve. Ato edhe mund të mos njohin njera-tjetrën gjatë dialogut, por duhet ta bëjnë këtë në fund të tij: me njohjen reciproke ndërshtetërore. Mosnjohja e pesë shteteve anëtare të BE-së, nuk duhet të jetë prejudikuese e as të dëmtojë substancën e dialogut. BE-ja është organizatë multilaterale, që nuk duhet ta dëmtojë dialogun me veto unilaterale.

2.NORMALIZIMI DHE JO STATUSI. Dialogu për normalizim nuk guxon të shndërrohet në dialog statusor. Aq më pak, që nga negociata midis dy shteteve, të përfundojë (si dialogu i gjertanishëm i Brukselit) në negociata për statusin e njërit shtet. Statusi, integriteti territorial dhe sovraniteti unitar shtetëror i Kosovës, janë të pa-negociueshëm.

3.SIMETRIA. Dialogu i gjertanishëm ishte ndërmjetësuar në mënyrë asimetrike, duke trajtuar palët negociuese në mënyrë të pabarabartë: njerën si shtet, e tjetrën me “status të pa-paragjykuar”; njerën me emrin e plotë, e tjetrën me “fusnotë”. Dialogu nuk mund të vazhdojë si negociata asimerike. Aq më pak si deri më tash, të ndërmjetësohet vetëm nga BE-ja, përmes neutralitetit asimetrik.

4. NEUTRALITETI MEDIATOR. BE-ja gjatë dialogut të Brukselit, ndonëse deklarohej si mediator neutral ndaj palëve negociuese, me qëndrimin neutral ndaj statusit të Kosovës, u bë jo-neutral. Nuk mund të jesh mediator neutral, nëse që në start je neutral ndaj statusit të njerës palë negociuese. Fusnota e BE-së: “edhe në Rez.1244/99 edhe mendimi i GJND-së”, është kundërthënëse, sepse ky i dyti njeh realitetin e ri pas 2008, ndërkaq e para – ende virtualitetin inekzistent të vitit 1999! BE-ja duhet ta aplikojë maksimën themelore juridike, se ligji i mëvonshëm derogon të mëparshmin. Rrjedhimisht, mendimi i gjykatës së OKB-së së 2010, derogon Rezolutën e KS të OKB-së 1999.

5. SHQYRTIMI I MARRËVESHJEVE. Negociatat nuk kanë kuptim, nëse ato që nënshkruhen nuk jetësohen. Palët negociuese duhet të shqyrtojnë marrëveshjet e nënshkruara, për të nënshkruar marrëveshje të reja.

6. RECIPROCITETI. Parimi kyq i këtyre negociatave duhet të jetë reciprociteti bilateral ndërshtetëror, si normë themelore e së drejtës ndërkombëtare. Pra, çdo veprim i njerës palë negociatore, do të përcillet me veprim pasues të palës tjetër. Pas vendosjes së reciprocitetit, e për ta debllokuar vazhdimin e negociatave, Republika e Kosovës, mund ta ç’fuqizojë taksën tregtare, kurse Serbia ta ç‘fuqizojë bllokadën diplomatike kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

7. FINALJA: NJOHJA RECIPROKE NË KUFIJTË EKZISTUES. I tërë ky proces negociator, duhet të përfundojë me normalizimin e plotë të marëdhënieve bilaterale midis dy shteteve, përmes njohjes reciproke në kufijtë e tyre ekzistues dhe vendosjes së marëdhënieve diplomatike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme