Google ADS

Rreth 160 milionë fëmijë në botë jetojnë në zona të konflikteve të dhunshme

23:36 | 4 Qershor 2021
Trina Galanxhi

Afërsisht 160 milionë fëmijë jetojnë në zona të konflikteve të dhunshme, ndërsa shumë fëmijë vdesin në gjithë botën si pasojë këtyre luftimeve.

Që nga viti 1982, 4 qershori shënohet nga OKB-ja si “Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve të Pafajshëm Viktima të Agresionit”. Me këtë rast, Anadolu Agency (AA) ka përpiluar të dhëna mbi fëmijët viktima të konflikteve nga raportet e OKB-së dhe fondacionit “Save the Children” (Shpëto Fëmijët).

Vendimi për shënimin e kësaj dite ishte marrë për shkak të fëmijëve palestinezë dhe libanezë të cilët në atë periudhë rrezikoheshin nga sulmet e Izraelit.

– Dhuna ndaj fëmijëve

Sipas raporteve të OKB-së, më shumë se 93 mijë fëmijë janë plagosur ose vrarë në konflikte në dhjetë vitet e fundit.

Viti në të cilin numri i shkeljeve të konfirmuara ndaj fëmijëve arriti nivelin më të lartë deri më tani ishte viti 2020. Shkeljet e regjistruara në këtë periudhë ishin për 26 mijë më shumë se niveli i vitit 2019.

Këto shkelje të rënda kanë qenë mbi 250 mijë që nga viti 2005, kur OKB-ja filloi të regjistronte të dhëna.

Përafërsisht 106 mijë nga këto shkelje janë regjistruar si vrasje ose gjymtim.

Palestina, Jemeni, Republika Demokratike e Kongos, Somalia dhe Afganistani dallohen si vendet me shkallën më të lartë të shkeljeve.

Që nga viti 2010, rreth 25 fëmijë në ditë janë vrarë ose gjymtuar në konflikte.

– 160 milionë fëmijë jetojnë në zona të konflikteve intensive

Sipas raportit të fondacionit “Save the Children” për vitin 2020, numri i fëmijëve që jetojnë në zona të konflikteve të dhunshme u rrit me 2 për qind krahasuar me vitin 2018, duke arritur në 160 milionë. Vlerësohet se numri i përgjithshëm i fëmijëve që jetojnë në zona të konfliktit është 426 milionë. Kjo shifër korrespondon me një të pestën e numrit të fëmijëve në gjithë botën.

– Vendet më të rrezikshme ku jetojnë fëmijët janë në Azi dhe Afrikë

Sipas të dhënave të vitit 2019 të të njëjtit raport, vendet më të rrezikshme ku jetojnë fëmijët janë vende në Azi dhe Afrikë.

Afganistani, Sudani i Jugut, Iraku, Republika Demokratike e Kongos, Mali, Nigeria, Republika e Afrikës Qendrore, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni bëjnë pjesë në këtë listë.

– Fëmijët që jetojnë në zona të konflikteve janë të privuar nga të drejtat e tyre

Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 250.000 fëmijë janë të përfshirë në konflikte në gjithë botën. Këta fëmijë përdoren si luftëtarë, lajmëtarë, spiunë, hamallë ose kuzhinierë.

Ndërkaq, vajzat janë të ekspozuara ndaj abuzimit seksual duke u privuar nga të drejtat e tyre.

OKB-ja themeloi Task-Forca në 14 vende për të monitoruar shkeljet e të drejtave të fëmijëve. Këto vende përfshijnë Afganistanin, Burundin, Kolumbinë, Republikën Demokratike të Kongos, Republikën e Afrikës Qendrore, Çadin, Bregun e Fildishtë, Mianmarin, Nepalin, Somalinë, Sri Lankën, Sudanin, Filipinet dhe Ugandën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme