Reformat në arsim në Maqedoninë e Veriut, kanë nxitur reagime të shumta, në veçanti ato për digjitalizimin e librave, që sipas prindërve, profesorëve e shoqatave, janë veprime të shpejtuara dhe të hartuara pa konsultim me ekspertët e fushës.
Profesori Avzi Mustafa, thotë se për reformë serioze nevojitet formimi i një këshilli të gjerë, vendimet e të cilit do të respektohen nga të gjitha partitë. Por këto të fundit kanë vazhduar me avazin e vjetër, duke akuzuar njëra-tjetrën për dështimin e reformave e madje, edhe për politika antikombëtare.
Maqedonia e Veriut tani 30 vjet, synon reformimin e sistemit arsimor, por përveç politizimit të këtij procesi dhe përplasjeve mes partive për interesa politike, ajo është ende larg ngritjes së një sistemi të mirëfilltë në arsim, përfshirë atë fillor, të mesëm dhe universitar.
Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Avzi Mustafa, profesor shumëvjeçar në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Shkupit.
Ministria e Arsimit ka hedhur në debat ndryshimet në ligjin për arsim, që veç tjerash parashohin digjitalizimin e teksteve shkollore, që edhe kanë nxitur reagime të shumta nga prindërit, shoqatat dhe mësimdhënësit, pasi që vlerësojnë se Maqedonia e Veriut, ende nuk ka krijuar kushtet tjera që të realizojë një reformë të tillë.
Ndërkohë, përplasjet mes partive kanë shkuar deri aty sa të akuzojnë njëra-tjetrën edhe për zhbërjen e identitetit maqedonas përmes reformës, siç pretendon OBRM-PDUKM në opozitë.
“Reformat në arsim janë të gabuara dhe të pazbatueshme në praktikë. Ne kemi paralajmëruar se reformat nuk kanë për qëllim përmirësimin e procesit arsimor, përkundrazi, kanë të bëjnë me plotësimin e nevojave të njerëzve të tjerë. Në programet mësimore për klasën e parë dhe të katërt, përmes njësive mësimore për vendin, nxënësit nxiten të mësojnë për një të lloj identiteti të një qytetari. Qëllimi është i qartë, për të thyer qëndrimin ndaj vendit tonë, Republikës së Maqedonisë (së Veriut). Nuk ka asnjë plan zhvillimi, asnjë strategji, reforma dëmton procesin arsimor dhe shtetin në përgjithësi”, ka deklaruar zëdhënësja e OBRM-PDUKM-së, Marija Miteva.
Lidhja Social-Demokrate në pushtet, akuzon opozitën për shkatërrimin e arsimit gjatë qeverisjes 11-vjeçare, si edhe për politika bllokuese.
“Kjo është një përpjekje tjetër absurde, për të bllokuar një reformë që është e rëndësishme për procesin e përgjithshëm arsimor. Ligji i ri për tekstet shkollore dhe materialet tjera mësimore dhe didaktike, është plotësisht në përputhje me praktikat evropiane, por edhe me kohën dhe epokën e teknologjisë informatike, në të cilën jetojnë të rinjtë. Për 11 vjet, OBRM-PDUKM shkatërroi arsimin, manipuloi mësuesit dhe profesorët, dhe studentët kanë rezultatet më të ulëta në testet ndërkombëtare. OBRM-PDUKM-ja po bllokon, po proteston dhe po fshihet pas iniciativave të pretenduara qytetare, në mënyrë që reformat e arsimit të mos miratohen”, tha deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
Profesori Avzi Mustafa thotë se një reformë e tillë nuk mund të bëhet pa konsultime të gjera, ndërsa thekson nevojën e përjashtimit të partive gjatë marrjes së vendimeve.
“Çdo ministër që ka ardhur, secili ka kërkuar të bëjë reforma apo se me të do të nisin reformat në arsim. Kjo është ajo që neve na shqetëson pasi për të pasur reforma duhet të formohet një komision nga të gjithë njerëzit që merren me këtë problematikë, të studiojnë, analizojnë dhe të nënshkruajnë një dokument që të mos ndryshojë nesër pa marrë parasysh se cila parti vjen në pushtet, por të kërkojë prej tyre jo vetëm të mos e ndryshojnë, por dhe ta zbatojnë në praktikë”, ka deklaruar Mustafa.
Ai konsideron se reformat për digjitalizimin janë kopje të disa shteteve të zhvilluara, por që nuk korrespondojnë me realitetin në Maqedoninë e Veriut, ku ende shumë zona nuk kanë kushtet më elementare në shkolla, e të mos flasim për internet, pasi sipas tij zonat e thella janë larg civilizimit apo kushteve për të bërë jetë normale.
“M’u kujtua kjo indiferencë turpshme”, Pacolli p...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte do të vizitojë...
Driloni-Edit: Nëse e fitoj çmimin, e ndaj me ty
Suhareka dhe Ferizaj kërkojnë të rikthehen te fitoret, forma...
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...