Autoritetet në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari janë të pajtimit se është i nevojshëm dialog konstruktiv midis dy vendeve për tejkalimin e problemit dhe anëtarësimit sa më të shpjete të vendit në BE. Ata janë të pajtimit edhe se të dyja vendet janë miqësore dhe se në këtë frymë duhet të shkojë bashkëpunimi i mëtejmë, i cili do të ndihmojë në përforcimin e besimit. Miqësia që i lidhë, thonë autoritetet e dy vendeve, do të mundësojë vetë ta zgjidhin kontestin e ndërsjellë, pa ndërmjetës, ndërsa me atë ta mundësojnë edhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
“Çdo herë janë të mirëseardhur miqtë të cilët dëshirojnë të ndihmojnë, por definitivisht ky është kontest bilateral dhe ashtu duhet ta zgjidhim”, tha dje kryeministri Zoran Zaev.
Në bisedën e djeshme telefonike me kolegun e tij bullgar, kryeministrin Janev, Zaevi tha se janë dakorduar për disa hapa të ardhshëm të cilët beson, siç theksoi, se do të konfirmohen edhe nga pala bullgare, në pajtim me lajmet që do t’i sjellin presidentët Radev dhe Pendarovski.
“Biseda edhe njëherë e konfirmoi miqësinë e madhe mes dy vendeve tona. Ne presim, ndërsa Bullgaria konfirmon se dëshira jonë është, e besoj edhe aspiratë e tyre në të ardhmen, do të jetë mbështetja e tërë Ballkanit Perëndimor për integrim në BE, e ashtu edhe i Maqedonisë së Veriut. Por, me rëndësi është të vazhdojmë të punojmë në gjetjen e zgjidhjeve. Megjithatë, do të them, Evropa është fajtore dhe na ka borxh mjaft”, tha Zaev.
Ai përsëriti se vendi për 16 vite e gjysmë po pret para dyerve të BE-së.
“Çka do që të jetë, është e tepërt. Reflektuam për gjithçka, nuk ka dilema nga askush, as në shtëpi, as jashtë, edhe për pjesën e reformave edhe për sjelljet evropiane edhe për mënyrën diplomatike të dialogut të zgjidhjes së problemeve. Dëshmuam dhe mbajtëm leksione evropiane për tërë kontinentin dhe me të vërtetë merituam. Çdoherë e dërgoj edhe porosinë për lutje drejt Bullgarisë për mbështetje të Maqedonisë së Veriut sepse lehtë është të vihen gjendje të pakëndshme mes popujve tanë, ndërkaq nuk është aq e lehtë të ndërtohen miqësi dhe të avancohen lidhjet. Me rëndësi është çfarë historie shkruajmë sot sepse ajo e hapë të ardhmen për gjeneratat e reja”, potencoi kryeministri.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani është i pajtimit se qasja e Qeverisë aktuale bullgare është konstruktive, veçanërisht në ndërtimin e besimit si në retorikë ashtu edhe në hapat.
“Dua të inkurajoj atë konstruktivitet dhe t’i përgjigjem këtij konstruktiviteti me konstruktivitetin tonë dhe shpresoj që në ditët dhe javët e ardhshme të marrim hapa për të rivendosur besimin”, deklaroi dje Osmani.
Shefi i diplomacisë theksoi se po punohet me palën bullgare për ndërtimin e besimit, por se paralelisht po bisedohet për propozimin e presidencës portugeze të BE-së.
“Çdo zgjidhje mund të gjendet vetëm në kushtet e rikthimit të besimit ndërmjet palëve, pra është e pamundur të gjesh zgjidhje në rast të humbjes së besimit. Besimi është si mozaik me guralecë. Ju duhet ta ndërtoni atë gur pas guri. Mendoj se ne e kemi filluar atë proces të ndërtimit të besimit seriozisht në ditët e fundit dhe ne planifikojmë në periudhën tjetër, dhe veçanërisht në dy – tre javët e ardhshme për të ndërtuar atë besim me hapa të vegjël dhe të mëdhenj që ishin humbur në të kaluarën për shumë arsye. Kështu krijimi i një atmosfere në mes dy palëve të besimit. Ne po punojmë paralelisht me miqtë tanë brenda propozimit të presidencës portugeze, i cili po diskutohet në disa forume”, tha ministri i Punëve të Jashtme të RMV-së.
Presidenti i Bullgarisë dje pas takimit me homologen italian në Romë deklaroi se Bullgaria dëshiron sa më shpjete ta shohë Maqedoninë e Veriut sikurse edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën evropiane.
“Të gjithë dëshirojmë t’i shikojmë këto vende në rrugën e tyre evropiane sa më shpejtë të jetë e mundur. Unë shumë qartë e sqarova pozitën bullgare se do të bëjmë përparim kur vetë vendet do të tregojnë qartë dhe në mënyrë të pakthyeshme se i plotësojnë kriteret”, tha Radev.
Ai theksoi se në këtë moment Qeveria bullgare punon së bashku me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe se së shpejti Bullgaria do të donojë “sasi të konsiderueshme” të vaksinave për vendin.
Radev theksoi se me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me të cilin së bashku udhëtuam në Romë, kanë shqyrtuar ide që të ftohen nxënës dhe studentë nga vendi që të kalojnë një pjesë të pushimit së bashku me fëmijët nga Bullgaria.
“Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, do të bëhet hapi më i rëndësishëm për tejkalimin e propagandës dhjetë vjeçare me insinuacionet dhe kundërshtimet mes dy shteteve. Nëse i grumbullojmë njerëzit tanë të rinj së bashku, jam i sigurt se kjo do t’i neutralizojë propaganda e ndryshme”, tha Radev.
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag