Google ADS

Mungesë e insulinës, kërkohet kompensimi i atyre që po detyrohen ta blejnë

08:07 | 28 Maj 2021
A Z

Personat të cilët janë të sëmurë nga diabeti janë të detyruar të trajtohen me insulinë e cila sigurohet nga shteti.

Qytetarët janë ankuar se insulina është mungesë dhe si pasoj e kësaj ata janë të detyruar ta blejnë vetë.

Kjo për shkak se disa QKMF të vendit kanë mungesë të furnizimit me disa lloje të insulinave.

Arbresh.info ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, ku kanë thënë se Ministria është duke i furnizuar QKMF-të, vetëm me insulinë analoge me veprim të gjatë, ndërkaq të tjerat janë në procedurë të kontraktimit.

“Momentalisht, Ministria e Shëndetësisë  është duke i furnizuar institucionet shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor (QKMF-të) vetëm me Insulinë analoge me veprim të gjatë, kurse llojet e tjera të insulinave janë në procedurë të kontraktimit”, thuhet në përgjigjejen e MSh-së.

Tutje MSH, tha se janë duke u munduar që të sigurohen sa më shpejt.

“MSh ka iniciuar procedurat për sigurim në kohë sa më optimale që ka mundësi insulina të llojeve të tjera”, thuhet në përgjigjeje të MSh-së, për arbresh.info.

Kryetari i Federatës së Sindikatave së Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla për arbresh.info ka thënë se janë në dijeni për mungesë të insulinës por që i takon Qeverisë të sigurojë e jo të zvarrisë.

“Ne nuk kemi pas takim zyrtarë për këtë çështje, por  e di që ka mungesë të insulinës. Dihet që insulinën duhet me u siguru prej shtetit në këtë rast prej Qeverisë por përse po e zvarritin veç ata e dinë”, deklaroi Syla.

E në anën tjetër Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, për arbresh.info tha se në rast se shteti nuk arrin të sigurojë insulinën për qytetarët të paktën duhet tu kompensoj atyre që janë detyruar ta blejnë.

“Kjo do duhej të sigurohej nga shteti pasi si do që të jetë çmimi është e shtrenjte për pacient, pra shteti nëse nuk mundet me siguru duhet me kompensua secilin qytetarë që e ka ble këtë insulinë pavarësisht nga çmimi. Ne kemi bisedu edhe me Ministrin e Shëndetësisë, ku na kanë thënë se janë në përpjekje për t’i siguruar pasi që janë në procedurat e prokurimit, megjithatë pacientet po duhet t’i blejnë dhe për këtë arsye ata duhet me ju kompensua nëse veç nuk munden me siguru në bazë të një tenderi të rregullt”, tha Kodra.

Ndryshe edhe gjatë kohës së pandemisë në vitin 2020 ka pasur mungesë të insulinave të llojit  Levemir’, ‘Novorapid’, dhe  ‘Novomix’, nëpër QKMF-të, të disa komunave të Kosovës./S.D/arbresh.info/

Të ngjashme