Biden: Të përcaktohet qartë origjina e koronavirusit

14:17 | 27 Maj 2021
Arbresh.info

Presidenti Joe Biden i ka kërkuar agjencive amerikane të inteligjencës të “dyfishojnë përpjekjet e tyre” për të përcaktuar origjinën e koronavirusit, çka përbën një kthesë të beftë nga pozicioni i mëhershëm i Shtëpisë së Bardhë për t’u mbështetur tek Organizata Botërore e Shëndetësisë në përpjekjet për të zbuluar fillesat e sëmundjes.

Mesazhi i ri nënkupton qartazi se ka një largim nga vlerësimet e disa shkencëtarëve të njohur të cilët janë të bindur se virusi kapërceu nga kafshët te njerëzit. Teoria që ka marrë një hov të ri kohët e fundit është se e pandemia – që ka kushtuar deri më tani 3.4 milionë jetë njerëzish në mbarë botën- mund të jetë pasojë e daljes aksidentale të virusit nga Instituti i Virologjisë ne Wuhan, edhe pse kjo nuk është përfundimtare.

Biden i urdhëroi zyrtarët e inteligjencës të hartojnë brenda 90 ditësh një raport, i cili të hedhë dritë mbi zanafillën e makthit që ka përjetuar globi prej një viti e gjysmë. Disa republikanë e kanë mbështetur prej kohësh idenë se virusi mund të ketë dalë nga laboratori i Wuhanit, dhe më i zëshmi prej tyre ishte Donald Trump. Një seri shkrimesh të Wall Street Journal këto ditë iu rikthyen temës së nxehtë. Ato nxorën në pah disa elemente të reja të papërmendura më parë, duke përfshirë faktin që disa punonjës të laboratorit Wuhan u shtruan në spital vjeshtën e vitit 2019 me simptoma të ngjashme me Covid, ndërkohë që autoritet kineze e raportuan në dhjetor shpërthimin e epidemisë./TCH/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme