Tragjedia në Itali: Përqafimi i babait shpëtoi djalin 5 vjeçar

01:26 | 25 Maj 2021
Trina Galanxhi

Eitani, 5 vjeç, i mbijetuari i vetëm i tragjedisë së teleferikut në Itali, është sot gjallë vetëm falë përqafimit të të atit, Amit Biran, i cili sipas mjekëve në vendin fqinj, në ato momente të fundit e ka mbështjellë vogëlushin me trupin e tij.

Amit ndodhej në teleferik së bashku me partneren, Tal Peleg, dhe dy djemtë, më i vogli nga të cilët, Tomi 2-vjeçar, humbi jeten në vend bashkë me prindërit. I riu izraelit që jetonte në Itali me familjen kishte një fizik mjaft të fortë thonë mjekët, e ai përqafim i fundit për ta mbrojtur të birin, i shpëtoi vogëlushit jetën.

15 ishin gjithsej personat në kabinën e rrëzuar, 14 viktimat. I fundit u shua një 9-vjeçar, i cili ishte shtruar në spital në gjendje të rëndë.

Incidenti ndodhi pikërisht në pikën më të lartë të rrugës së teleferikut të nisur nga Lago Maggiore, aty ku kishte mbërritur në 1,491 metra lartësi. Kabina u këput dhe ra kur kishin mbetur vetëm 100 metra larg ndalesës së fundi të një udhëtimi që zgjat 20 minuta. Presidenti i rajonit të Piemontes, Alberto Cirio nuk i mbajti dot lotët.

“Jam baba vetë, dhe e kuptoni çfarë mund të përjetohet kur sheh në arkëmort trupin e një nëne me fëmijën e saj..po e prisnim me padurim rihapjen pas pandemisë..tani ajo buzëqeshje u venit”, tha ai. Në 2016-tën, Italia investoi 4 milionë e 400 mijë euro për për kontrollin, rregullimin dhe riparimin e teleferikëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme