Armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit në Rripin e Gazës, raportohet se po respektohet, teksa ndërmjetësuesit nga Egjipti thanë se janë pajtuar me palët për të siguruar qetësi afatgjate.
Armëpushimi nisi në orët e para të së premtes, duke i dhënë fund 11 ditëve të bombardimeve mes dy palëve, që shkatërruan Gazën dhe ngritën shqetësime në mesin e komunitetit ndërkombëtar, se konflikti mund të zgjerohej në një konflikt rajonal.
Egjipti, që së bashku me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ka ndërmjetësuar ndaljen e luftimeve, ka dërguar një delegacion në Izrael për të diskutuar për mënyrat për të përforcuar armëpushimin, përfshirë këtu edhe dërgimin e ndihmës humanitare për palestinezët në Gaza, raporton Reuters.
Zyrtarët thanë se bisedimet do të vazhdojnë edhe gjatë të shtunës. Ndërkaq, konvojet e para me ndihmë humanitare veçse kanë arritur në Rripin e Gazës.
Pavarësisht përplasjeve ndërmjet policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë të premten, nuk ka raportime se Hamasi ka hedhur raketa nga Gaza ose nëse ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore gjatë të shtunës.
Nga luftimet, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, janë vrarë 248 persona, përfshirë 66 fëmijë.
Izraeli, ndërkaq, ka thënë se ka vrarë mbi 200 luftëtarë të Hamasit dhe të fraksionit islamik Jihad, dhe se të paktën 17 civilë janë vrarë në Gaza, nga bombardimet e militantëve.
Nga sulmet palestineze janë vrarë 13 persona në Izrael, përfshirë dy fëmijë, një ushtar dhe tre punëtorë të huaj, thanë autoritetet shëndetësore./rel
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...