Kurti përkujton masakrën e Dubravës: Vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë sonë

12:18 | 22 Maj 2021
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 22 vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës.

Kurti, përmes një postimi në Facebook ka përshkruar rrëfimet e të burgosurve që i kanë mbijetuar kësaj masakre.

“Duhej të qëndronim në një rresht në një fushë betoni të futbollit rrethuar me roje. Rreth 100 njerëz ishin në një rresht. Qëndruam aty për dhjetë minuta, derisa ishim renditur të gjithë në një rresht. Pastaj, një burrë u ngjit në njërën nga kullat dhe dha urdhër për gjuajtje. Ne pamë gjithçka. Ishte një gjuajtje e njëtrajtshme njëzetminutëshe nga muret e larta 5 metra. Dhe gjithçka ishte e parapërgatitur. Mbanin në duar armë të llojeve të ndryshme. Gjuanin nga muret. Ranë bomba mbi secilin dhe njerëzit fluturonin. Kaosi ndodhi ndërsa të burgosurit iknin për t’u fshehur në ndërtesat e ndryshme të burgut, bodrumet e tyre ose sistemin e kanalizimeve të burgut”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, masakra e Dubravës vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë së Kosovës.

“Masakra e Dubravës vazhdon të mbetet një prej episodeve më të tmerrshme të historisë sonë. 22 vjet më parë, më 22 maj 1999, forcat serbe për disa ditë ushtruan dhunë fizike dhe psikike mbi të burgosurit, para se t’i ekzekutonin më shumë se 100 prej tyre. Të mbijetuarit nëpër vite kanë treguar tmerrin që kanë përjetuar në ato ditë, kur të gjithë janë mbledhur në fushë afër pavijonit të fundit dhe kanë kaluar orët të trembur, bashkë me të vdekurit”, ka shkruar Kurti./arbresh.info

Të ngjashme