Presidenti amerikan Joe Biden tha të premten se Partia Demokrate vazhdon ta mbështesë Izraelin dhe ai shpreson që armëpushimi midis izraelitëve dhe Hamasit të ishte i qendrueshëm.
Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se një zgjidhje me dy shtete ishte e vetmja përgjigje për zgjidhjen e konfliktit midis të dy palëve dhe u zotua të krijonte një paketë të madhe me vendet e tjera për të ndihmuar në rindërtimin e Gazës.
Izraeli dhe Hamasi të premten u dhanë fund 11 ditëve luftime që shkaktuan vdekjen e 248 njerëzve dhe plagosjen e 1,900 të tjerëve. Zyrtarët humanitarë thonë se do të duhen vite që të rindërtohet në Gaza, me një kosto prej dhjetëra miliona dollarësh.
Presidenti Biden bëri thirrje për t’iu dhënë fund luftimeve nga ekstremistët nga të dy palët dhe tha se ishte e domosdoshme të vendosej siguria për palestinezët në Bregun Perëndimor dhe të ndihmoheshin banorët e Gazës. Ai tha se do të insistonte gjithashtu që qytetarët izraelitë – si arabë dhe hebrenj – të trajtohen në mënyrë të barabartë.
Ai tha se palestinezët duhet të njohin gjithashtu të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.
“Le të bëjmë të qartë diçka: derisa rajoni të thotë pa mëdyshje se e pranon të drejtën e Izraelit për të ekzistuar si një shtet i pavarur hebre, nuk do të ketë paqe,” u tha Biden gazetarëve në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae.
Biden nuk pranoi të fliste për bisedimet e tij të fundit me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, por tha se ai besonte se udhëheqësi izraelit do ta respektonte armëpushimin.
“Unë lutem që armëpushimi të mbajë. Unë e besoj fjalën e Bibi Netanyahut kur më jep fjalën.Ai kurrë nuk e ka shkelur fjalën e tij ndaj meje,” tha Biden.
Biden mori detyrën në janar i vendosur për ta përqendruar kohën dhe energjinë e tij tek pandemia e coronavirusit dhe rënia ekonomike në vend dhe sfidat e mëdha jashtë vendit si Kina, Rusia dhe Irani.
Por pas konfliktit në Gaza që kërkoi përpjekje intensive diplomatike prapa skenës nga Shtetet e Bashkuara, këshilltarëve të tij po u duhet të ndryshojnë radhën e përparësive ndërsa kërkojnë ta bëjnë të qendrueshëm një armëpushim Izrael-Hamas, të hartojnë një plan për të ndihmuar për rindërtim për palestinezët dhe të parandalojnë një përsëritje të asaj që u bë kriza e parë e politikës së jashtme të zotit Biden.
Një zyrtar amerikan tha se fokusi është tek “ajo që do të vijë më pas, duke parë përtej dhunës, në mënyrë që të bëjmë gjithçka që mundemi për të minimizuar shanset që të gjendemi përsëri këtu. ”
Toni më aktiv i administratës është një ndryshim i qartë nga një qëndrim i rezervuar në muajt e parë në detyrë për të trajtuar konfliktin e kahershëm izraelito-palestinez.
Megjithatë ai nuk ka treguar interes të menjëhershëm për t’u angazhuar në një përpjekje të re për të ringjallur përpjekjet e paqes për një kohë të gjatë në një kohë kur shumica e analistëve shohin pak ose aspak perspektivë për negociata të suksesshme.
Por ka pasur shenja në rritje të një angazhimi të ri të Shteteve të Bashkuara tani që zjarri i raketave nga Gaza dhe bombardimet izraelite duket të jenë ndalur. Kjo vjen pasi Biden u përball me presion të madh për të marrë një rol më të vendosur – si dhe një vijë më të fortë me Izraelin – nga demokratët progresive, mbështetja e të cilëve ishte thelbësore për fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2020.
Pas atyre që zyrtarët amerikanë i përshkruan si kontakte diplomatike gjatë ditës që ndihmuan në arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi të enjten, zoti Biden po dërgon Sekretarin e Shtetit Antony Blinken për t’u takuar me udhëheqësit izraelitë, palestinezë dhe rajonalë në ditët e ardhshme në vizitën e tij të parë në Lindja e Mesme.
Një paketë e madhe ndihmash
Në krye të listës së detyrave të SHBA-së do të jetë mbledhja e ndihmave të mëdha humanitare dhe rindërtimit për Gazën. Pas disa ditësh sulmesh ajrore izraelite, zyrtarët e Gazës thanë se 16,800 shtëpi ishin dëmtuar dhe banorët kishin vetëm tre ose katër orë energji elektrike në ditë. Zyrtarët palestinezë thane se kostoja e rindërtimit ishte dhjetëra miliona dollarë.
Biden tha të enjten se Shtetet e Bashkuara do të punojnë përmes Kombeve të Bashkuara dhe me aktorë të tjerë ndërkombëtarë dhe se një ndihmë e tillë do të koordinohet me Autoritetin Palestinez, rivali i Hamasit, i cili qeveris vetëm në disa pjesë të Bregut Perëndimor të okupuar. Hamas vlerësohet si një grup terrorist në Perëndim dhe nga Izraeli, të cilin militantët janë zotuar ta shkatërrojnë.
Zyrtarët amerikanë thanë se administrata po përgatiste një paketë ndihme. Kjo do të ishte përveç ndihmës 235 milion dollarëshe për palestinezët të njoftuar në prill, që ishin një rifillim i fondeve për agjencinë e Kombeve të Bashkuara që mbështet refugjatët dhe duke rikthyer ndihmën tjetër të ndërprerë nga ish-Presidenti Donald Trump.
Një lëvizje tjetër që ka si synim riparimin e lidhjeve me palestinezët që u dëmtuan gjatë mandatit të zotit Trump, do të ishte rihapja e konsullatës amerikane në Jeruzalemin Lindor që u shërbente palestinezëve dhe të cilën zoti Trump e mbylli, tha një person i afërt me këtë çështje.
Në të njëjtën kohë, administrata e presidentit Biden po kërkon të përdorë të ashtuquajturat Marrëveshjet Abraham, të arritura nën zotin Trump për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe fqinjëve të Gjirit, Bahrain dhe Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe Maroku dhe Sudani, për të ndihmuar në lehtësimin e kontakteve midis Izraelit dhe Palestinës, thanë zyrtarët amerikanë.
Shumë palestinezë thonë se ishin ndjerë të tradhtuar nga vëllezërit e tyre arabë pasi kishin bërë marrëveshje me Izraelin pa kërkuar përparim drejt krijimit të një shteti palestinez.
“Ajo që kemi mësuar nga Marrëveshjet e Abrahamit është se kur injoron konfliktin palestinezo-izraelit, kjo jo vetëm që i zbeh perspektivat për negociata, por në të vërtetë i hap rrugën acarimeve,” tha zyrtari amerikan.
Çdo përpjekje për të krijuar një lidhje midis normalizimit të Izraelit me shtetet Arabe dhe dhunës së fundit ka të ngjarë të refuzohet nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Zoti Biden bisedoi me të gjashtë herë gjatë negociatave të armëpushimit dhe megjithëse udhëheqësi i krahut të djathtë, i cili ishte afër me zotit Trump, në fund ra dakord për të ndalur sulmet ajrore, ata mbeten të ndarë lidhur me marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe çështje të tjera.
Demokratët progresivë thanë se ishin të kënaqur me armëpushimin por i bënë thirrje administratës së zotit Biden të punojë drejt një zgjidhjeje afatgjatë. /voa
Funksioni i ri i AirPods të Apple mund të ndihmojë njerëzit ...
Në podcast me Toni Kroos, Klopp i ashpër me deklarata për Ra...
Drenusha: Në Big Brother hyra për fëmijët e mi
SHBA-ja thotë se afër 8.000 trupa koreanoveriore janë në kuf...
Krijimi i “Shtetit Bektashi”, Rama: Po ta kisha unë në dorë ...
Forca e lëngjeve bimore për një lëkurë të shëndetshme