Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, tha se “nëse ka një ferr në tokë, kjo është jeta e fëmijëve në Gaza”, duke bërë thirrje që “përleshjet të ndalen menjëherë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila u mblodh për të diskutuar krizën midis Izraelit dhe Palestinës, Guterres tërhoqi vëmendjen për përmasat e rrezikshme dhe të tmerrshme të dhunës që rezultoi në vdekje në dhjetë ditët e fundit.
Duke shprehur shqetësim të thellë nga bombardimet e vazhdueshme ajrore të forcave izraelite në Gaza, Guterres i cilësoi si të papranueshme sulmet me raketa të Hamasit dhe grupeve palestineze kundër Izraelit dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të arrijnë një armëpushim.
Ai theksoi se përleshjet dëmtuan seriozisht infrastrukturën civile në Gaza, qindra shtëpi dhe ndërtesa u shkatërruan dhe se sulmet ajrore dëmtuan spitalet.
“Lufta la mijëra palestinezë pa shtëpi, më shumë se 50 mijë njerëz u desh të linin shtëpitë e tyre”, tha shefi i OKB-së.
Guterres deklaroi se ka qenë i tmerruar nga lajmi se nëntë anëtarë të një familjeje vdiqën në sulmet ndaj kampit të refugjatëve al-Shati.
“Nëse ka një ferr në tokë, kjo është jeta e fëmijëve në Gaza. Përleshjet duhet të ndalen menjëherë”, apeloi Guterres.
Ai po ashtu ia rikujtoi Izraelit përgjegjësinë për të lejuar hyrjen e shpejtë dhe të papenguar të ushqimeve, karburantit dhe produkteve mjekësore në Rripin e Gazës.
“Edhe luftërat kanë rregulla. Së pari, civilët duhet të mbrohen. Sulmet joselektive ndaj civilëve dhe pronës civile shkelin rregullat e luftës. Qoftë lufta kundër terrorizmit apo vetëmbrojtja, palët nuk mund t’i shpëtojnë detyrimeve të kërkuara nga ligji ndërkombëtar humanitar”, u shpreh Guterres.
Guterres i bëri thirrje Izraelit që t’i përmbahet ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë përdorimin e forcës proporcionale, dhe të tregojë përmbajtje maksimale në operacionet e tij ushtarake, si dhe i kërkoi Hamasit të ndalojë sulmet me raketa në zonat me një popullsi të madhe civile në Izrael.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të ndalojë të gjitha vendbanimet e paligjshme dhe dëbimet në Palestinën e pushtur, përfshirë Kudsin Lindor, dhe të ruajë statusin e vendeve të shenjta.
Guterres i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të mbështesë përpjekjet për “kthimin e palëve nga cepi i humnerës” dhe përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete.
– “Largimi i palestinezëve nga shtëpitë e tyre mund të përbëjë krim lufte”
Nga ana tjetër, Presidenti i Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Volkan Bozkır, në fjalën e tij dënoi të gjitha sulmet ndaj civilëve dhe vendeve fetare.
Ai theksoi nevojën për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, duke theksuar se palët duhet “ta respektojnë të drejtën ndërkombëtare”.
Bozkır i bëri thirrje fuqisë pushtuese, Izraelit, të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, duke përfshirë përdorimin proporcional të forcës.
Duke vënë në dukje se palestinezët nuk duhet të jetojnë nën frikën e vazhdueshme të dëbimit për shkak të kolonizimit në rritje të kolonëve në Bregun Perëndimor, Bozkır tha: “Dëbimi i palestinezëve nga shtëpitë e tyre në Sheikh Jarrah mund të përbëjë krim lufte sipas ligjit ndërkombëtar. Gjykatat izraelite nuk kanë juridiksion në Kudsin Lindor të pushtuar”.
Bozkır i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të përmbushë përgjegjësitë e tij dhe të bashkohet në çështjen izraelito-palestineze, e cila ka qenë në rendin e ditës për një kohë të gjatë.
Paraburgim ndaj tre të arrestuarve në Manastirin e Deçanit
Milan shënon fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampionëve
3 orë mosbindje civile, mbyllet protesta e opozitës në Shqip...
Cepeda: I nderuar ta prisja Osmanin në Senat
Atletico Madrid deklason Spartan e Rrahmanit dhe Krasniqit
Bayern – PSG, publikohen formacionet zyrtare