Google ADS

Pandemia “gjunjëzoi” ekonominë, njohësit tregojnë hapat që duhet të ndërmerren për ngritje

07:57 | 20 Maj 2021
S D

Pandemia Covid-19 jo vetëm që mori shumë jetë njerëzish anë e mbanë rruzullit tokësor, por mbyllja që erdhi si pasojë e këtij virusi pandemik, “gjunjëzoi” edhe shumë ekonomi botërore.

Kësaj nuk kishte si t’i shpëtonte ekonomia edhe ashtu e varfër e Kosovës, shkruan arbresh.info

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e fundit mbi projeksionet e rritjes ekonomike në bot ka paraparë që Kosova mund të ketë ngritje prej 4.5 për qind deri në 5 për qind.

“ Rritja pasqyron mbështetjen shtesë fiskale në disa ekonomi të mëdha, rimëkëmbjen e mundësuar nga vaksinat në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe përshtatjen e vazhdueshme të veprimtarisë ekonomike”, thuhet në raportin e FMN-së.

Skeptik në këtë rritje po shprehen njohësit e çështjeve ekonomike në vend.

Ata një ngritje ekonomike prej 5 për qind po e shohin si diçka jo të realizueshme, pasi sipas tyre shumë pika tashëm janë “helmuar”.

Analisti politik, Burim Berisha për arbresh.info ka thënë se në këtë 5 për qind janë llogaritur remitancat që vijnë nga mërgimtarët, e si e tillë sipas tij, me ligjin për konfiskimin e pasurisë kjo mund të has në probleme.

“ Qeveria aktuale shumicën e tenderëve për investime kapitale i ka ndërpre, kjo shihet në ministrit e ndryshme, p.sh. në Ministrin e Infrastrukturës, shumë projekte janë ndërpre dhe gjitha këto kanë më ndiku negativisht në rritjen ekonomike të vendit edhe nuk besoj që kemi me mund me arrit atë 5%-ish. Kjo më shumë është e llogaritur prej remitancave që do të vijnë prej mërgimtarëve dhe një farë zhvillimi të brendshëm që mundemi me pas”, është shprehur Berisha.

Tutje, Berisha thotë se mos investimi në infrastrukturë nga ana e kësaj qeverie mund të sjell telashe në zhvillimin ekonomik.

“Mos zbatimi i planeve të më hershme në Infrastrukturë, ja po e marr një shembull, autostrada Gjilan-Prishtinë nuk po flitet që ka me u vazhdu. është një mungesë e investimeve kapitale. Në qoftë se qeveria mendon që mos me investu në Infrastrukturë edhe me ndiku në zhvillim ekonomik, ka me pas probleme d.m.th, nuk ka me ndiku në rritjen e përqindjes së zhvillimit ekonomik”, u shpreh Berisha.

Në anën tjetër, njohësja e çështjeve ekonomike, Albulena Mavraj pohon se krijimi i kushteve në sektorin privat dhe rregullimi i çështjes së kredive në Kosovë duhet të jetë fokusi i kësaj Qeverie në mënyrë që këto ngritje të cilat parashihen të mund të ndodhin.

“Ligjvënësit në Kosovë, duhet të jenë të fokusuar së pari në lehtësira të të bërit biznes në Kosovë, si dhe krijim të kushteve për sektorin privat. Edhe pse me Kushtetutë, tregu i Kosovës është i lirë dhe çdo gjë determinohet nga kërkesa dhe oferta, marr parasysh situatën e pandemisë”, thotë Mavraj.

Sipas saj, qeveria duhet të rrisë numrin e inspektorëve dhe të respektohen të drejtat e punëtoreve të sektorit privat, në mënyrë që ky sektorë të grumbullojë kuadrot më të mirë të fushave të caktuara.

“Po ashtu, vëmendje duhet t’u kushtohet dhe tërheqjes së Investimeve të Huaja Direkte, si dhe aspektit financiar, meqë kreditë në Kosovë mbesin akoma të lartë dhe çështja e Institucioneve Mikrofinanciare duhet të rregullohet sa më parë në mënyrë që qytetarët dhe bizneset mos të ndëshkohen me norma të interesit deri në 23%”, deklaroi Mavraj për arbresh.info.

Ndryshe, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë shpresa se ekonomia e Kosovës gjatë këtij viti do të rritet.

Madje FMN ka treguar se kjo rritje pritet të jetë për 4.5 për qind, pas një rënie prej 6 për qind gjatë pandemisë.

Pas një tkurrjeje të vlerësuar prej 6 për qind në vitin 2020, ekonomia e Kosovës tani pritet të rritet për 4.5 për qind për vitin aktual. Kështu ka deklaruar Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit mbi projeksionet e rritjes ekonomike në botë./S. Dedushi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme