Specialja riaktivizohet me arrestime

18:46 | 19 Maj 2021
Përparim Bublaku

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar do të riaktivizohet me arrestime të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Portali arbresh.info merr vesh nga burime diplomatike se këto arrestime pritet të bëhen javëve në vazhdim.

“Arrestime do të ketë. Bëhet fjalë për deputetë, ish-deputetë, dhe ish-eprorë tjerë të UÇK-së”, bën të ditur ky burim.

Specialja aktualisht po mbanë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin e Sali Mustafën dhe i ngarkon me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si eprorë për krime të pretenduara të pjesëtareve të UÇK-së.

Aktakuzat ndaj tyre u konfirmuan vitin e kaluar.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po mbajnë edhe krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ata akuzohen se, së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm)./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme