Presidenti Joe Biden vizitoi një fabrikë të makinave elektrike në Miçigan të martën, ku promovoi planin e tij prej 174 miliardë dollarësh për këto lloj automjetesh, duke e vënë atë në kontekstin e konkurrencës kundër Kinës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara njofton.
Presidenti Joe Biden, i apasionuar pas makinave, provoi të martën kamion elektrik F-150 të kompanisë Ford në pistën e testimit në Diërborn të Miçiganit.
Para provës, zoti Biden pa nga afër punën për prodhimin e kamionit, automjeti më i fundit elektrik që prodhuesi amerikan i automobilave shpalos të mërkurën.
“E ardhmja e industrisë së automjeteve janë makinat elektrike. Nuk ka kthim mbrapa”, tha presidenti.
Presidenti vizitoi fabrikën e automjeteve elektrike të kompanisë Ford dhe argumentoi ndihmën prej 174 miliardë dollarësh në shpenzime qeveritare që ka premtuar për të përshpejtuar kalimin tek automjetet elektrike, duke përfshirë kreditë e taksave dhe stimuj të tjerë për ti nxitur amerikanët të qëndrojnë larg automjeteve konvencionale.
Biden po e paraqet shtytjen e tij në dritën e konkurrencës me Kinën – aktualisht lideri botëror në prodhimin e automjeteve elektrike, si dhe tregu më i madh dhe me rritjen më të shpejtë.
“Sot, Kina ka shkallën më të lartë të prodhimit se të gjitha vendet e tjera. Dhe ata po e përdorin këtë epërsi për të prodhuar këto bateri, jo vetëm në Kinë, por po i bëjnë ato në Gjermani dhe në Meksikë. Ata po eksportojnë makina elektrike nëpër botë, duke synuar tregun amerikan. Dhe mendojnë se do të fitojnë. Por kam diçka për t’u thënë. Nuk kanë për ta fituar këtë garë “.
Sipas firmës kërkimore “LMC Automotive”, kompanitë amerikane të automobilave janë në rrugën e duhur për të prodhuar 1.4 milionë makina elektrike në vit deri në vitin 2028, por Kina do të prodhojë mbi tetë milionë makina elektrike në vit deri atëherë. Një arsye përse Kina ka dominuar këtë industri është për shkak të mbështetjes së konsiderueshme të qeverisë.
“Dhe pastaj vijnë pengesat e pakta tregtare, që lejuan Kinën të eksportojë këto produkte në Shtetet e Bashkuara. Dhe kombinimi i këtyre dy faktorëve i jep Kinës atë që administrata Biden e sheh si një avantazh të padrejtë. Administrata Biden po ndërmerr hapa siç kanë bërë administratat e mëparshme amerikane, në përpjekje për t’i bllokuar të dyja këto avantazhe”, thotë Timothy Meyer me Universitetin Vanderbilt.
Në aspektin e brendshëm, plani i Bidenit përfshin përpjekje për të bindur sindikatat e punonjësve të automobilëve se më shumë makina elektrike do të sjellin punë me paga më të mira.
“Politikisht, është një plan shumë popullor që mbështetet ndoshta në nivelin 60-70% nga njerëzit e zakonshëm. Kjo do të thotë se ka mbështetjen e punëtorëve republikanë, të zyrtarëve lokalë republikanë, si dhe demokratëve dhe të pavarurve. Pra, është diçka që ka shumë energji politike”, thotë Harley Shaiken me universitetin e Kalifornisë.
Nxitja e presidentit për makinat elektrike është pjesë e planit të tij prej 2 trilionë dollarësh të infrastrukturës, që aktualisht po debatohet në Kongres./VOA/
Konfiskimi i armatimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dh...
Çfarë është rezistenca ndaj antibiotikëve dhe përse konsider...
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të s...
Reshjet e borës, zv.ministri Durmishi: Ekipet e mirëmbajtjes...
Koreja e Jugut: Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Koren...
“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet ng...