Konflikti në Izrael mund të ketë pasoja shkatërruese për të gjithë rajonin, thotë shefi i OKB

23:30 | 16 Maj 2021
Trina Galanxhi

Konflikti në Lindjen e Mesme duhet të ndalet menjëherë, sepse ekziston rreziku i një “krize të pakontrolluar sigurie dhe humanitare” në rajon, paralajmëroi sot Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

“Masakra ka vazhduar edhe sot. Ky cikël i pamend gjaku, terrori dhe shkatërrimi duhet të marrë fund menjëherë,” tha ai në video konferencën urgjente të Këshillit të Sigurimit, transmeton portal arbresh.info

Sipas diplomatëve, negociatat mbi një deklaratë të Këshillit të Sigurimit janë duke u zhvilluar, por mbështetja e SHBA-ve në raport me situatën është ende e paqartë.

“Konfliktet duhet të ndalen menjëherë. Raketat dhe granatat nga njëra anë dhe bombardimet ajrore dhe artileria nga ana tjetër duhet të pushojnë,” theksoi Antonio Guterres.

“Konflikti mund të zhyt izraelitët dhe palestinezët në një dhunë spirale me pasoja shkatërruese për të dy komunitetet dhe për të gjithë rajonin”, tha ai.

Konflikti ka “potencialin për të provokuar një krizë të pakontrolluar të sigurisë dhe humanitare dhe për të inkurajuar më tej ekstremizmin, jo vetëm në territoret e okupuara Palestineze dhe në Izrael, por në të gjithë rajonin,” shtoi ai.

Ushtria izraelite vrau 33 palestinezë, përfshirë trembëdhjetë fëmijë, në sulmet ajrore në Gaza të dielën në mëngjes, thonë zyrtarët shëndetësorë të Rripit të Gazës.

Që nga fillimi i konfliktit në Gaza të hënën, 181 njerëz janë vrarë, përfshirë 52 fëmijë.

Izraeli njoftoi se 10 shtetas të tij u vranë, duke përfshirë dy fëmijë.

Hamas filloi të sulmonte Izraelin të hënën, pas javësh tensionesh rreth një vendimi gjykate për të dëbuar disa familje palestineze në Jeruzalemin Lindor dhe përplasjeve të policisë me palestinezët pranë Xhamisë Al Aqsa, vendi i tretë i shenjtë për muslimanët./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme