Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka qëndruar në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit, ku ka vendosur lule pranë bustit dhe ka vizituar shtëpinë muze të filozofit, profesorit, intelektualit dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, në 22 vjetorin e zhdukjes së tij.
Në prani të zyrtarëve të Komunës së Rahovecit, përfaqësuesve të fshatit Krushë e Madhe dhe familjarëve të Ukshin Hotit, kryekuvendari Konjufca tha se Ukshin Hoti është një prej figurave më të rëndësishme dhe më të kompletuara intelektuale që pati kombi shqiptar.
Çdo politikan, çdo përfaqësues institucional, çdo profesor i shkencave sociale humane dhe i shkencave politike dhe juridike, duhet t’i lexojë dhe t’i studiojë veprat e Ukshin Hotit, shtoi kryekuvendari Konjufca dhe propozoi që Ukshin Hoti të bëhet pjesë e kurikulës të universiteteve dhe shkollave të Kosovës.
Duke e përshkruar jetën e tij prej intelektuali, Konjufca tha se Ukshin Hoti e ka ndarë fatin me popullin e tij.
“Ukshin Hoti nuk ka qenë një intelektuar i mbyllur i zyreve. Ai ka qenë intelektual, i cili e ka ndarë fatin me popullin e vet në kohët më të vështira. Ai ka kaluar nëpër të gjitha rrugët e mundshme prej viteve të shtatëdhjeta, nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar. Ky është patrioti i vërtetë, ky është intelektuali i vërtetë që nuk i bën bisht fatit, por i cili është aty pikërisht ku është populli i vet”, theksoi kryekuvendari Konjufca.
I pari i Kuvendit përmendi angazhimin shumëvjeçar të Ukshin Hotit për të drejtat e kombit shqiptar, sidomos që nga demonstratat e vitit 1981, duke sakrifikuar çdo gjë që kishte dhe duke u renditur në anën e popullit të tij.
Si pasojë e këtij aktiviteti kombëtar, Konjufca tha se Ukshin Hoti u arrestua dhe gjatë burgut përjetoi torturat më çnjerëzore, por që nuk u dorëzua asnjëherë para armiqve.
Kryekuvendari Konjufca vuri në pah se përgjegjës kryesor për zhdukjen me dhunë të Ukshin Hotit, më 16 maj të vitit 1999, është shteti serb dhe, siç tha ai, është pikërisht shteti serb ai që duhet të japë përgjigje për atë çfarë ka ndodhur para 22 vitesh.
“Në vitin 1999, më 16 maj, forcat e Serbisë e rrëmbyen dhe e zhdukën me dhunë patriotin tonë të madh dhe të shquar Ukshin Hoti dhe prej atëherë fare pak dihet dhe fare pak është treguar se çka ka ndodhur në të vërtetë. Ajo që dihet fare saktë është që shteti i Serbisë është fajtor për zhdukjen e tij”, tha kryekuvendari Konjufca.
Kreu i Kuvendit theksoi se institucionet duhet ta kenë detyrë që jo vetëm të bëjnë homazhe për Ukshin Hotin, por ta kthejnë në metodë të veprimit dhe doktrinë politike mendimin dhe filozofinë politike që e ka lënë trashëgim Ukshin Hoti.
“Ky është testamenti më i rëndësishëm i Ukshin Hotit, pra që të vazhdohet vepra e tij intelektuale të cilën ai ua ka lënë brezave. Krahas kërkimit të drejtësisë, kujtimi dhe nderimi për të do të jetë i përhershëm”, tha kryetari i Kuvendit.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...