Google ADS

Mbi 40 mijë kërkesa për kthim të pronës, kërkohet që Kurti të merret me uzurpuesit

11:18 | 16 Maj 2021
Përparim Bublaku

Mos lirimi i pronave të cilat janë uzurpuar në vitet 1998-1999, kryesisht të serbëve pas shpërnguljes në kohën e luftës, vazhdon të mbetet problem kyç edhe në ditët e sotme.

Për lirimin e këtyre pronave janë numëruar  një sërë problemesh e të cilat kanë shkuar edhe deri në gjykata.

Në retorikën e Albin Kurtit si lider i Vetëvendosjes, dhe në programin qeverisës si kryeministër, nuk është përmendur asnjëherë çështja e pronave të uzurpuara, dhe duket se as tani nuk ekziston asnjë plan për zgjidhjen e problemit në mes uzurpatorëve dhe pronarëve të vërtet.

Shkëlzen Bajraktari nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, deklaroi se numri total i kërkesave të proceduara për zbatim është 40.571.

“Numri i Dëbimeve nga ana e Agjencisë në kuadër të mandatit të saj deri tani është 8239. Në total numri i kërkesave të proceduara për zbatim është 40.571”, tha ai.

Tutje Bajraktari për arbresh.info tha se numri i përgjithshëm i vendimeve të zbatuara Komisionit të Kërkesave Pronësore të Kosovës gjatë 2020 është 104.

“Gjatë vitit 2020, Agjencia ka pranuar 1 kërkesë për vënien e pronës nën administrim, 5 kërkesa për riposedim dhe 37 kërkesa për mbyllje të rastit, të parashtruara nga paraqitësit e suksesshëm të kërkesave. Po ashtu gjatë vitit 2020 janë përpunuar 3 kërkesa për administrim dhe janë dërguar në Departamentin për Administrimin e Pronave, janë përpunuar 8 raste për riposedim të pronës, 45 kërkesa janë dërguar për mbyllje me kërkesën e paraqitësit të kërkesës, janë përpunuar për mbyllje 1 kërkesa të hedhur poshtë/refuzuar me vendimin e Komisionit, për të cilat brenda afatit ligjorë Agjencia nuk ka pranuar ankesë, si dhe po ashtu janë përpunuar për mbyllje 5 kërkesa të hedhura poshtë/refuzuara, për të cilat është parashtruar ankesës dhe me vendimin e Gjykatës Supreme është konfirmuar vendimi i KKPK, ndërsa 42 kërkesa tjera janë dërguar për mbyllje për shkak të mosbashkëpunimit. Numri i përgjithshëm i vendimeve të zbatuara të KKPK-së, gjatë vitit 2020 është 104”, deklaroi ai.

Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se kjo çështje është e rëndësishme dhe se çështja e lirimit të këtyre pronave duhet të jetë në planin e Qeverisë Kurti.

“Unë ende nuk e kam parë programin e zotit Kurti ende nuk e kemi marr si deputet zyrtarisht unë po citoj që është mediate çështja e lirimit të pronave të uzurpuara të jetë në programin e Kurtit. Kjo ka qenë edhe në agjendën e Partisë Demokratike të Kosovës, pasi që ne e dimë që iniciator i kësaj ka qenë kryetari i PDK-së, Z. Vesli, ku pat marr një hap shumë të rëndësishëm në lidhje me këtë çështje e që ishte mirëpritur nga qytetarët e Republikës së Kosovës, pra unë mendoj dhe shpresoj që të përfshihet”, deklaroi Beqa për arbresh.info.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, për arbresh.info tha se personat të cilët uzurpojnë pronën duhet të ndiqen penalisht por që me ligj kjo çështje rregullohet me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.

“Prona e uzurpuar është pronë ose e shtetit ose e një personi privat dhe nuk mund të konfiskohet. Rregullohet me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale. Ai që e uzurpon duhet mu ndjek penalisht, dhe prona e uzurpuar i kthehet pronarit ligjor”, tha Miftaraj.

E ndërkaq Gazmir Raci ish-ekspert i dialogut Kosovë-Serbi, për kadastër, tha se kthimi i dosjeve kadastrave të cilat i ka marr Serbia është çelësi i zgjidhjes së problemit për këtë çështje.

“Së pari duhet që në kuadër të dialogut të Brukselit me u kthye dosjet kadastrale që i ka marr Serbia, dhe mendoj që kthimi i atyre dosjeve kadastrale që janë marr gjatë luftës, ka me i zgjidh shumë probleme shumë dyshime edhe shumë diskutime sa i përket pronave në Kosovë, kjo mendoj që është çelësi kryesor. Pa dosje origjinale është vështirë me u definu çështja pronësore në vend”, tha Raci për arbresh.info.

Arbresh.info ka tentuar të marr përgjigjeje edhe nga Qeveria e Kosovës se cili do të jetë hapi i radhës që kjo qeveri do të ndërmarr në lidhje me çështjen e pronave të uzurpuara, por ata kanë qenë të pa qasshëm.

Çështja e pazgjidhur e pronës në Kosovë po bëhet pothuajse një makth për një pjesë të popullatës që ka probleme pronësore-juridike, e kur do të rregullohet kjo gjendje dhe  a mund të shpresojnë pronarët për drejtësi, mbetet e paqartë./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme