Google ADS

Pengesat formale për të paditur Serbinë për gjenocid

08:13 | 15 Maj 2021
S D

Qeveria e Albin Kurtit në planin e saj ka paraparë edhe padinë ndaj Serbisë për gjenocidin serb të ushtruar në vitet 1998-1999, ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë.

Së fundi, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në lidhje me padinë ndaj Serbisë, tha se janë koordinuar me Kurtin që të ngritin padinë për gjenocid ndaj Serbisë.

Sipas njohësve të çështjeve juridike po shihet si diçka jo e realizueshme.

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për arbresh.info tha se mos anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare e penalizon atë nga kjo çështje.

“Republika e Kosovës nuk është as anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara si dhe nuk është palë e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e krimit të Gjenocidit. Për këtë arsye, Republika e Kosovës ka pengesë formale për të ushtruar padi për gjenocid si ndaj Serbisë, ashtu edhe ndaj çdo shteti tjetër”, tha Shala.

Tutje Shala përmendi faktin se Shqipëria si anëtare e OKB-së mund të ngris një padi të tillë ndaj Serbisë.

“Shtetet që janë anëtare të OKB-së dhe Konventës, mund të parashtrojnë padi për gjenocid ndaj secilit shtet tjetër rrjedhimisht, edhe Republika e Shqipërisë ka mundësi që të padisë Serbisë për Gjenocid gjatë luftës së fundit në Kosovë”, deklaroi Shala.

Analisti politik Shkodran Ramadani për arbresh.info tha se çështja e padisë do të ketë pengesa si shkak i faktorëve ndërkombëtar.

“Padia do të jetë një sfidë shumë e vështirë për shkak që këtu ka pengesa edhe burokratike për shkak të mos anëtarësimin të Kosovës në disa organizata ndërkombëtare të cilat janë përgjegjëse për ngritjen e padive ndaj një shteti për një shtet tjetër. Po ashtu kjo është rekomanduar që të mos bëhet padi ndaj Serbisë për gjenocid edhe nga njohës të kësaj çështje edhe vetë Vjosa Osmani tha që duhet të bëhet një studim i thellë e ku kjo ngrit pikëpyetjet rreth aftësisë edhe mundësisë për ta bërë një gjë të tillë”, tha Ramadani.

Shtet ndërtimi i Kosovës është i lidhur dhe i varur nga mbështetja dhe ndihma e partnerëve ndërkombëtarë, si rrjedhojë çdo veprim në këtë drejtim duhet të ketë vëmendjen e tyre, koordinimin dhe bashkëpunimin e tyre.

Tutje ai theksoi faktin se arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ul gjasat për padi.

“Nëse bëhet një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë atëherë gjasat për padi do të ulen për shkak se pas marrëveshjes të mundshme pritet të sillen konform pikave të marrëveshjes për jo polarizim dhe tensionim të mëtutjeshëm të raporteve. Ne e dimë që Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë por a ekziston një bazë dhe sa do të jetë në gjendje shteti ta klasifikoj si duhet, t’i mbledh të gjitha provat, të ngrit profesionalisht dhe saktë padinë sepse nëse humbet atëherë do të ishte një katastrofë për Kosovën për shkak se do të amnistohej Serbia”, deklaroi Ramadani.

Ndryshe sipas të dhënave të fundit të Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona, e ku muaji më i përgjakshëm ishte prilli i vitit 1999 kur u vranë 4,082 persona./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme