Google ADS

BFI e Maqedonisë së Veriut e shqetësuar thellë për sulmin izraelit ndaj Mesxhid Al-Aksasë

14:43 | 11 Maj 2021
A. B.

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI) ka reaguar lidhur me sulmet e fundit të Izraelit ndaj Mesxhid Al-Aksasë dhe palestinezëve, duke shprehur shqetësim të thellë për sulmet në fjalë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një postimi nga rrjetet sociale, BFI tha se si institucion me vëmendje po i përcjellin ngjarjet e fundit në Kuds, “andaj ndien shqetësimin e thellë për sulmin, dhunën e forcave policore izraelite kundër tempullit të shenjtë Xhamisë së Aksasë dhe besimtarëve, sulme këto që shkaktuan me dhjetëra viktima”.

BFI-ja ka shprehur keqardhjen e thellë pasi sulmet ndaj një tempulli siç është Mesxhid Al-Aksaja dhe besimtarëve janë të papranueshme nga asnjë besim, sidomos në këto ditë të Ramazanit.

“Sepse janë akte antinjerëzore dhe anticivilizuese bazuar në parimet e paqes dhe konventave ndërkombëtare për paprekshmërinë e tempujve të shenjtë kujtdo besimi që i takojnë”, thuhet në deklaratën e BFI-së.

“Andaj, mbesim me bindjen se sa më shpejt do të intervenojnë faktorët ndërkombëtarë për të vendosur paqen dhe qetësinë, për të ndalë dhunën e trishtueshme ndaj shenjtërisë së Xhamisë së Aksasë, besimtarëve dhe më gjerë. Lusim Allahun Fuqiplotë që kudo në botë te mbisundojë paqja, toleranca dhe qetësia e gjithmbarshme për të mirën dhe perspektivën e mbarë njerëzimit”, theksoi BFI-ja.

 

Të ngjashme