Pas fitores dramatike kundër Pejës, Ylli vetëm një hap larg titullit

07:20 | 10 Maj 2021
A. B.

Golden Eagle Ylli e ka mundur Pejën me shifrat 75:73 (24:20, 10:23, 21:12, 20:18), në një përballje dramatike, që u vendos në sekondat e fundit.

Tani skuadra therandase avancon 2:0 në serinë finale të “Play-offit” në FIVE STAR Superligë, derisa skuadra që shënon tri fitore, shpallet kampione. Sfida e radhës zhvillohet të martën në Pejë.

Sfida nisi e baraspeshuar me dy skuadrat e motivuara për të fituar, duke luftuar për çdo top. Në fund të çerekut të parë vendasit ishin paksa më të mirë, duke e fituar këtë pjesë 24:20. Por, mysafirët ishin shumë më të mirë në periudhën e dytë, duke pasur epërsi deri në 15 pikë, 27:42, kurse pjesa e parë përfundon me shifrat 34:43.

Atë që e bënë mysafirët në periudhën e dytë, e bënë vendasit në periodën e tretë, kurse për pejanët mungesë ishte edhe lëndimi i Laron Dendyt. Skuadra nga Theranda e fitoi periudhën e tretë 21:12, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 55:55.
10 minutat e fundit ishin mjaft interesante, ku pejanët ishin në epërsi 62:69 dhe 67:73, por në momentet vendimtare vendasit ishin më të përqendruar, derisa 26 sekonda nga fundi, një tre pikësh nga Erjon Kastrati ishte vendimtar për 74:73.

Te Golden Eagle Ylli u dalluan Erjon Kastrati me 15 pikë e 7 asistime, Valon Bunjaku me 15 pikë e 7 asistime, Demetris Morant me 17 pikë e 10 kërcime, Gëzim Morina me 14 pikë e 6 kërcime dhe Elyjah Clark me 12 pikë e 7 kërcime, ndërsa te Peja u dalluan Brandon Walters me 14 pikë e 20 kërcime, Dardan Berisha me 29 pikë dhe Lis Shoshi me 10 pikë e 10 kërcime.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme