Udhëheqësja e Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), Nicola Sturgeon, u zotua të fillojë përgatitjet për një referendum të dytë për pavarësinë e Skocisë, ndërsa partia e saj fitoi më shumë vende në parlament, pas zgjedhjeve të fundjavës, por nuk arriti të siguronte një shumicë të përgjithshme vetëm për një vend.
Zonja Sturgeon nuk po humbet kohë për të sfiduar Londrën. Ajo u tha konservatorëve në pushtet në Britani që mos luajnë me skocezët dhe të mos kërkojnë të pengojnë një referendum të pavarësisë që ajo synon të zhvillohet para fundit të vitit 2023.
Duke përshëndetur rezultatin e zgjedhjeve si “historik”, dhe duke nënvizuar faktin se SNP-ja kishte fituar më shumë vota dhe një përqindje më të madhe se çdo parti tjetër që nga kalimi i pushtetit në Skoci në vitin 1999, ajo tha, “Për çdo politikan në Westminster që përpiqet ta pengojë një gjë të tillë, unë do t’u thoja se po zgjidhni luftën jo vetëm me partinë SNP, por me dëshirat demokratike të popullit skocez.
“Njerëzit e vetëm që mund të vendosin për të ardhmen e Skocisë”, shtoi ajo, “janë skocezët, dhe asnjë politikan i Westminster-it nuk mund ose duhet të qëndrojë në rrugën e kësaj të drejte”.
Pavarësisht nga dështimi për të siguruar një shumicë të përgjithshme parlamentare, zonja Sturgeon mund të ketë mbështetjen e të gjelbërve skocezë, e cila do t’i japë asaj kontrollin e 72 vendeve në parlamentin me 129 anëtarë, mjaftueshëm për të miratuar legjislacionin që autorizon një referendum të pavarësisë.
Parlamenti skocez mbikëqyr shërbimet publike, arsimin dhe policinë në veri të kufirit anglez, por nuk ka kompetenca për çështjet e mbrojtjes dhe të jashtme. Skocezët votuan në vitin 1997 për të transferuar disa kompetenca nga Parlamenti Britanik në Londër.
Tani ka ardhur momenti për një betejë mes Edinburgut dhe Londrës, një luftë që mund të paralajmërojë shpërbërjen e Mbretërisë së Bashkuar, e cila thonë politikanët dhe analistët, do të kishte pasoja të papara ndërkombëtare për Britaninë.
Kryeministri britanik Boris Johnson ka bërë thirrje për një samit të drejtuesve nga Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar është “në pozitë më mirë kur punojmë së bashku”. Kryeministri Johnson vazhdimisht ka shprehur kundërshtim për mbajtjen e një referendumi tjetër për pavarësinë e Skocisë. Referendumi i fundit u mbajt në vitin 2014 ku 55% votuan që të mbeteshin pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. Sipas sondazheve, Skocia mbetet e ndarë në mënyrë të barabartë për çështjen e shkëputjes, megjithëse një shumicë e vogël në sondazhet më të fundit duket se kërkon shkëputjen./voa/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?