Google ADS

Administrata e Biden bashkohet me fushatën globale kundër ekstremizmit në internet

12:10 | 8 Maj 2021
Arditë Shkodra

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bashkohen me një fushatë globale të udhëhequr nga Zelanda e Re për të shuar ekstremizmin e dhunshëm në internet, bën të ditur Shtëpia e Bardhë, duke bërë një ndryshim të politikës dy vjet pasi administrata e ish presidentit Donald Trump nuk pranoi të merrte pjesë.

Nisma u fillua nga kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern dhe presidenti Francez Emmanuel Macron në 2019 pasi një person i armatosur vrau 51 persona në dy xhami në qytetin e Zelandës së Re Christchurch ndërsa transmetonte drejtpërdrejt inatin e tij në Facebook, transmeton arbresh.info

Zëdhënësi i administratës së Biden, Jen Psaki tha se Shtetet e Bashkuara do të bashkohen me “Thirrjen e Christchurch për veprim për të eleminuar përmbajtjen ekstremiste terroriste dhe të dhunshme në internet” në një deklaratë të premten vonë.

“Kundërshtimi i përdorimit të internetit nga terroristët dhe ekstremistët e dhunshëm për radikalizimin dhe rekrutimin është një përparësi e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara,” tha Psaki në deklaratë.

“Bashkimi me koalicionin e qeverive dhe kompanive që kanë mbështetur Thirrjen për Veprim në Christchurch përforcon nevojën për veprim kolektiv.”

Ardern tha të shtunën se SHBA kishin qenë një “partner konstruktiv, i angazhuar në shumë çështje të lidhura me Thirrjet që nga fillimi i tij” dhe njoftimi ishte një “zyrtarizim i asaj marrëdhënieje dhe një angazhim që ne të punojmë edhe më ngushtë”.

SHBA citoi mbrojtjen e fjalës së lirë kur nuk pranoi të bashkohej në fushatën në 2019 dhe “nuk do të ndërmarrë hapa që shkelin liritë e fjalës dhe shoqërimit të mbrojtur nga Ndryshimi i Parë i Kushtetutës së SHBA, dhe as shkelin pritjet e arsyeshme të privatësisë”, ka shtuar Psaki në deklaratë.

Psaki tha se SHBA do të marrin pjesë në një samit virtual më 14 maj./Reuters/arbresh.info/

Të ngjashme