Garland: Rritja e terrorizmit të brendshëm, një shqetësim i madh

23:49 | 4 Maj 2021
Trina Galanxhi

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland i kërkoi Kongresit të martën të sigurojë më shumë fonde për hetimin dhe ndjekjen penale të terrorizmit të brendshëm, duke thënë se kjo përbën një kërcënim “në rritje të shpejtë” që e shqetëson shumë atë.

Zoti Garland, që ka shërbyer si gjykatës federal i apelit dhe prokuror federal para se Presidenti Joe Biden ta emëronte atë për të udhëhequr Departamentin e Drejtësisë, dëshmoi në Kongres mbi kërkesat buxhetore për vitin fiskal 2022.

“Kemi një frikë në rritje për ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin e brendshëm”, i tha zoti Garland një nënkomisioni për buxhetin të Dhomës së Përfaqësuesve. “Të dyja këto çështje më mbajnë zgjuar natën”.

Ai nuk përmendi emra të grupeve të veçanta të dhunshme, por anëtarët e grupeve të ekstremit të djathtë “Proud Boys” dhe “Oath Keepers” janë midis më shumë se 400 personave të arrestuar për sulmin vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitolin amerikan nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump.

Ishte hera e parë që Garland merrte pjesë në një seancë dëgjimore në Kongres që kur mori konfirmimin si zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit të në vend, në mars.

Ai u tha anëtarëve të nënkomisionit të Dhomës së Përfaqësuesve se numri i armëve vdekjeprurëse në dispozicion të terroristëve të huaj dhe atyre të brendshëm është rritur dhe se Departamenti i Drejtësisë po “shfrytëzon burimet e tij për të mbrojtur vendin nga të dyja kërcënimet”.

“Ne kemi një kërcënim në zhvillim dhe në rritje”, tha prokurori Garland.

Ai theksoi në fjalët e tij të hapjes se Departamenti i Drejtësisë po kërkon 85 milionë dollarë fonde shtesë nga Kongresi për të forcuar përpjekjet e tij për të luftuar terrorizmin e brendshëm.

Prokurori i Përgjithshëm Garland tha se Departamenti i Drejtësisë po kërkon gjithashtu një “investim historik” prej 1 miliard dollarësh për Zyrën Kundër Dhunës ndaj Grave dhe se propozimi i buxhetit përfshin një rritje prej 232 milionë dollarësh në fonde për të ndihmuar në luftën kundër dhunës me armë./voa/

Të ngjashme