Google ADS

Biden katërfishon kufirin për pranimin e refugjatëve krahasuar me administratën Trump

09:26 | 4 Maj 2021
Arditë Shkodra

Presidenti Joe Biden ngriti zyrtarisht të hënën kufirin maksimal për pranimin e refugjatëve në Shtetet e Bashkuara në 62,500 këtë vit, disa javë pasi u përball me kritika nga të dyja partitë për vonesën në zëvendësimin e një kufiri rekord të ulët të vendosur nga ish Presidenti Donald Trump.

Agjencitë për strehimin e refugjatëve kanë pritur që presidenti Biden të katërfishojë numrin e refugjatëve që do të lejohen në Shtetet e Bashkuara këtë vit që nga 12 shkurti, kur në Kongres u paraqit një propozim presidencial ku theksohej se ai planifikonte ta bënte një gjë të tillë. Por ky angazhim kishte mbetur pa u zyrtarizuar deri të hënën.

Presidenti Biden tha se së pari duhej të zgjerohen kriteret e rrepta të pranimit të vendosura nga ish presidenti Trump që privonin shumicën e refugjatëve.

Ai e bëri këtë muajin e kaluar përmes një vendimi të posaçëm presidencial. Por aty deklarohej gjithashtu se kufiri deri në 15,000 refugjatë këtë vit” i vendosur nga ish presidenti Trump mbetej i justifikuar për shkak të shqetësimeve humanitare dhe se kjo ishte në interesin kombëtar”.

Ky veprim solli kundërshtime të ashpra pasi administrata nuk po merrte të paktën një hap simbolik për të autorizuar hyrjen e më shumë refugjatëve këtë vit në Shtetet e Bashkuara.

Demokrati i dytë më i lartë në Senat, Dick Durbin nga shteti Illinoi, e quajti kufirin fillestar “të papranueshëm” dhe brenda disa orësh Shtëpia e Bardhë bëri një korrigjim të shpejtë.

Administrata u zotua të rrisë kufirin historikisht të ulët deri në 15 maj – por ndoshta jo deri në 62,500 refugjatë siç kishte premtuar më parë presidenti Biden.

Në fund, presidenti Biden ra dakord përsëri për atë shifër.

Presidenti tha se mori informacione shtesë që e bënë atë të nënshkruante vendimin për ta çuar kufirin në 62,500 refugjatë.

“Është e rëndësishme të ndërmarrim këtë veprim sot për të hequr çdo dyshim në mendjet e refugjatëve në të gjithë botën që kanë vuajtur kaq shumë dhe që mezi presin të fillojnë jetën e tyre të re”, deklaroi presidenti Biden para nënshkrimit të vendimit.

Presidenti Biden tha se kufiri i vendosur nga Trumpi “nuk pasqyroi vlerat e Amerikës si një komb që mirëpret dhe mbështet refugjatët”.

Por ai e pranoi “të vërtetën e trishtuar” se Shtetet e Bashkuara nuk do të përmbushin kufirin prej 62,500 refugjatësh deri në fund të vitit fiskal në shtator, duke pasur parasysh pandeminë dhe kufizimet e kapaciteteve për sistemimin e refugjatëve.

Presidenti Biden tha se ishte e rëndësishme të ngrihej kufiri i numrit të refugjatëve për të treguar “angazhimin e Amerikës për të mbrojtur më të prekshmit dhe për të qëndruar si një fanar i lirisë në botë”.

Urdhri gjithashtu i hap rrugën presidentit Biden për të rritur kufirin në 125,000 refugjatë për vitin fiskal 2022 që fillon në tetor.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se po punohet për të përmirësuar aftësitë e Shteteve të Bashkuara për të shpejtuar procedurat në mënyrë që të pranohen sa më shumë refugjatë të jetë e mundur duke respektuar kufirin e ri. Që nga 1 tetori i kaluar, pak më shumë se 2,000 refugjatë janë pranuar në Shtetet e Bashkuara. /VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme